FMN humbet mekanizmin e forcës
Fondi duket se ka "toleruar" qeverinë në dy vitet e fundit, më shumë se në 15 vjet
Fondi Monetar Ndërkombëtar duket se ka bërë më shumë lëshime kundrejt qeverisë së sotme, gjatë dy viteve të fundit, sesa ka bërë kundrejt të gjitha qeverive që pas rënies së komunizmit. Mosvendosja e TVSH-së për sektorin e ndërtimit, aplikimi i Taksës së Sheshtë, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës dhe, së fundmi, mosrritja e çmimit të energjisë elektrike në korrik, janë disa nga vendimet e qeverisë, për të cilat FMN bëri oponencë, por në fund i pranoi.
Sot, FMN pritet të bëjë një bilanc të punës së saj 17 vjeçare në Shqipëri, në fund të marrëveshjeve të asistencës së hollësishme teknike. Baza për këto marrëveshje ka qenë fakti që Shqipëria pranonte të bënte reforma strukturore dhe në këmbim, FMN e Banka Botërore jepnin kredi me interesa të ulëta. Në fillim të viteve '90, FMN kërkonte ndryshimin e Kodit Civil dhe në këmbim jepte para që përdoreshin për të blerë bukën e përditshme. Pas vitit '98, u kërkua vendosa e TVSH-së, liberalizimi i tregtisë dhe përmirësimi i mbledhjes së taksave në këmbim të kredive për rrugë e infrastrukturë. Pas vitit 2004, BB ndërpreu së dhëni kredi të buta për Shqipërinë e për pasojë, as qeveria shqiptare nuk e dëgjoi më. Sot, pas 17 vjetësh, përfaqësuesi i FMN-së, z.Gerwin Bell thotë se vendi ka ende disa probleme të rënda e të pazgjidhura. "Shqipëria mund të vijojë të ketë rritje ekonomike, nëse zgjidh problemet strukturore", - tha z.Bell. Sipas tij, vendi ka nevojë për furnizim me energji, ndërsa biznesi ka nevojë për siguri. Para së gjithash, çështja e pronave, tituj të sigurt pronësie, zbatimi i vendimeve të gjykatave e serioziteti i tatimorëve në marrëdhëniet me biznesin. Për fat të keq, duket se gjithë këto probleme janë përkeqësuar ndjeshëm. Përdorimi i metodave afrofe në përcaktimin e taksave është shtuar në mënyrë alarmante dhe rreziku i të bërit biznes është shtuar gjithashtu.