E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i 2009-s, deputetët e PD-së, kundër Bodes

Shpërthen revolta tek deputetët e PD-së, sa i përket shpërndarjes së fondeve për pushtetin vendor

TIRANË- Jo vetëm opozita ka pakënaqësi ndaj projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm që është paraqitur për diskutim në Kuvend dhe që sot pritet të kalojë për miratim, në parim, në seancë plenare. Pothuajse shumica e deputetëve të djathtë të komisionit parlamentar të ligjeve kanë shfaqur hapur revoltën e tyre për mënyrën sesi Ministria e Financave ka bërë shpërndarjen e buxhetit për pushtetin vendor. Duke marrë shkas edhe nga prania e zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, gjatë mbledhjes së djeshme të këtij komisioni, deputetët e djathtë kanë kërkuar shpjegime prej tij, për mënyrën sesi kjo ministri ka përllogaritur shpërndarjen e fondeve për njësitë e qeverisjes vendore, kryesisht përsa i përket transfertës së pakushtëzuar. Deputeti demokrat i rrethit të Matit, Sali Shehu, ka evidentuar si një problem që përsëritet faktin e një shpërndarjeje në raport jo të drejtë me numrin e popullsisë dhe sipërfaqes së komunave. Kështu, sipas tij, në projekt-buxhet gjen shumë raste kur komuna të vogla arrijnë të marrin dyfishin e fondeve që marrin komunat e tjera, që janë edhe më të mëdha si në numër popullsie, ashtu edhe sipërfaqeje. “Duke i hedhur një vështrim transfertës së pakushtëzuar të komunave, më rezulton se komunat që janë pothuajse të barabarta me banorë, në sipërfaqe dhe në zona malore, siç janë Trebishti dhe Martaneshi, kanë një fond çuditërisht shumë të ndryshëm me njëra-tjetrën, njëra e ka 9 milionë dhe tjetra 20 milionë. Me çfarë formule është bërë kjo llogaritje”, - është shprehur deputeti Shehu, ndërsa ka kërkuar rregullimin e këtyre defekteve në draft. Ndërkohë, akoma më i ashpër në qëndrimin e vet ka qenë deputeti tjetër demokrat i zonës së Peqinit, Dashnor Sula, i cili ka theksuar se ka raste edhe më ekstreme ku, një bashki, arrin të marrë një fond më të vogël edhe se një komunë. Duke iu referuar shembujve konkretë, ai ka theksuar se bashkisë së Peqinit, me një numër popullsie të konsiderueshëm, dhe me një numër të madh biznesesh, i jepet një fond më i vogël edhe se komuna e Rajcës në Librazhd. “Kur qahet Saliu për buxhetin, imagjino ne të tjerët, duhet të vrasim veten. Unë e pashë me shumë kujdes buxhetin dhe tek transferta e pakushtëzuar që është për komunat dhe bashkitë kam parasysh se, formula që ndjek ministria për përcaktimin e kësaj transferte, është një formulë krejt jo korrekte për kriteret që ndiqet. Po marr rastin e Bashkisë së Peqinit, e cila megjithëse ka një sërë aktivitetesh dhe shërbimesh si, klubin e futbollit, pastrimin e qytetit, pallatin dhe aktivitetet e kulturës etj., i janë dhënë vetëm 270 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë, komuna e Rajcës, që nuk ka as pastrim, as ekip futbolli, as aktivitete kulturore, i është dhënë 360 milionë lekë”, - tha Sula. Por, sipas zëvendësministrit të Financave, njësitë e qeverisjes vendore marrin dhe fonde të tjera përveç atij që akordohet nga transferta e pakushtëzuar. Ndërkohë që, deputetët opozitarë e kanë cilësuar formulën, me anë të së cilës bëhet shpërndarja e kësaj transferte si një formulë politike. Komisioni i Ligjeve ka dëgjuar dje edhe qëndrimet e Avokatit të Popullit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, të cilat, gjatë raportimit, kanë shprehur rezerva për buxhetin e vënë në dispozicion, duke kërkuar fonde shtesë. Të njëjtën gjë ka kërkuar edhe Gjykata Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›