Niset për tek i fejuari, prej 4 ditësh asnjë gjurmë nga 19-vjeçarja
Berat- Humb kontaktin me familjen që prej katësh ditësh një 19-vjeçare nga një fshat i rrethit të Beratit, ndërkohë që policia ka nisur kërkimet për gjetjen e saj. Orjola Sulku mësohet se ka humbur lidhjen me familjen që prej ditës së dielë, ndërsa ishte nisur për në banesën e të fejuarit të saj.
E reja, lindur dhe banuese në fshatin Gjeroven në rrethin e Beratit ishte nisur për në banesën e të fejuarit në fshatin Kamçisht, por nuk është kthyer më pranë familjes.
Kanë qënë familjarët Sulku të cilët kanë kërkuar sot ndihmën e policisë duke deklaruar humbjen e saj. “Mëngjesin e së dielës ajo ishte nisur për t’i bërë një vizitë familjarëve të të fejuarit në fshatin e Lushnjes”- kanë thënë familjarët, duke sqaruar se burri i saj është emigrant në Greqi.
Sipas tyre, vajza kishte kaluar një natë në banesën e prindërve të të fejuarit, ndërsa ditën e hënë duhet të ishte kthyer në banesën e saj, në fshatin Gjeroven. Por, ajo nuk është kthyer ende pranë familjes.
Pasi kanë pritur ditën e hënë dhe vajza nuk ka mbërritur në banesë, familjarët kanë kontaktuar me prindërit e dhëndrrit të tyre nga të cilët kanë mësuar se nusja e tyre ish larguar nga banesa e tyre që ditën e hënë.
Kjo gjë i ka vënë në alarm të plotë familjarët Sulku të cilët kanë kërkuar menjëherë ndihmën e policisë. Burime të komisariatit të policisë Berat bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit kanë nisur kërkimet për gjetjen e 19 vjeçares. Informacioni me të dhënat e saj personale janë shpërndarë në të gjitha komisariatet, ndërkohë që ende nuk ka mbritur asnjë informacion rreth saj.