E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Buxheti për arsimin, larg premtimeve

Tiranë- Një ditë para diskutimit në parlament të buxhetit për vitin 2009 deputeti i PS-së, Marko Bello ka deklaruar se qeveria jo vetëm ka djegur fondet e parashikuara, si pasojë e mosrealizimit të investimeve, por shifrat reale janë larg premtimeve të bëra nga Berisha.

“Projekt buxheti i këtij viti, por edhe buxhetet faktik të viteve të mëparshëm kanë demonstruar qartë paaftësinë e Qeverisë për të realizuar edhe ato shifra që pas, kalimit të buxheteve në parlament kanë qenë detyrime ligjore. Vetëm për 9 mujorin e vitit që po mbyllet, pra për 2008, shifra e realizimit të fondeve të investimeve është vetëm 37%. Fondet rrezikojnë të digjen, sikurse janë djegur edhe vitet e kaluar”- ka thënë Bello gjatë një konference nga selia e PS-së.

Sipas tij, nga diskutimi paraprak nëpër komisionet e Kuvendit, është konstatuar qartë një diferencë e madhe midis programit 4-vjecar të Qeverisë Berisha dhe shifrave që paraqet drafti për buxhetin e vitit të ardhshëm, që është edhe viti i fundit i kësaj qeverie.

Ai ka paraqitur të gjitha shifrat e realizimeve dhe mosrealizimeve, (përqendruar te arsimi) të premtimeve të pambajtura, ndaj jemi në gjendje të bëjmë një bilanc të kësaj qeverie që erdhi në pushtet me premtime të bujshme.

Para 4 vitesh, sipas Bellos,Sali Berisha premtoi se do ta katërfishonte buxhetin për Arsimin. Sot, në vitin e fundit të mandatit të kabinetit të tij, buxheti për arsimin nuk arriti në 5%, por vetëm 3.5% të PBB (GDP). Edhe shifra prej 3.5%, nisur nga kriza që ka mberthyer botën dhe po troket edhe në Shqipëri rrezikon të katandiset në 3% të PBB. Pra një rritje e dobët, larg premtimeve.

Berisha, ka vijuar më tej ai, premtoi se do të dyfishonte pagat e mësuesve. Në zërin Paga të buxhetit paarardhës ishin planifikuar 14 miliardë e 450 milionë lekë, ndërsa për këtë vit janë planifikuar rreth 20 miliardë lekë, në një kohë që duheshin mbi 24 miliardë lekë që të realizohej premtimi i Qeverisë. “Pra do të ketë 31% më pak rritje nga sa ishte premtuar, për të mos thëne se rritja e inflacionit, rritja e cmimeve, zhvlerësimi i monedhës e bëjnë edhe më të ulët shifrën reale të rritjes së pagave të arsimtarëve”- tha ai.

Sipas Bellos, u premtua me bujë se në klasa do të uleshin jo më shumë se 25-30 nxënës. Sot klasat janë të tej mbushura, mësimi vijon të bëhet me turne, shkolla të reja janë ndërtuar shumë pak, ndërsa në shumë vende mësimi zhvillohet në hangare, klube, dhe salla krejt të papërshtatshme për edukimin e brezit te ri. “Në mes të Tiranës, në Fakultetin Juridik studentët kanë bojkotuar mësimin pasi ndërtesa e tyre rrezikon të shembet. Ky është standarti europian, kjo është Shqipëria në moshën e internetit?”- tha ai

Sipas tij, as premtimi për 100% fonde shtesë për arsimin 9 vjecar dhe 80% fonde për arsimin e mesëm nuk është mbajtur.

Ai ka nënvizuar se këto janë vetëm disa nga arsyet përse arsimi shqiptar është sot në krizë, përse është rritur frikshëm numri i analfabeteve, ndërsa liberalizimi i arsimit, një tjetër premtim i bujshëm i Qeverisë, është katandisur sot në një arsim pa standarte, me diploma fiktive, me universitete private që mbijnë si kërpudha pas shiut vetëm për të kënaqur xhepat e atyre që japin licenca për universitete të paakredituar.

Kësaj politike PS-ja, sipas tij, do t’i japë fund vitin e ardhshëm, duke i premtuar shqiptarëve një program modern që do ta ketë arsimin priritet absulut, e bindur se pa një arsim modern, të mbështetur me fonde të qenësishme, nuk mund të ecë përpara vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›