E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i ri, pak te ardhura e mbeshtetje sociale

Buxheti i vitit 2009 tenton të jetë më i madhi që Shqipëria ka bërë ndonjëherë.

Shpenzimet që qeveria ka planifikuar të kryhej vitin e ardhshëm janë 383 miliardë lekë me një rritje prej 6.3 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga taksat, por edhe nga ndihmat arrijnë në 333 miliardë lekë me një rritje nominale prej vetëm 7 për qind krahasuar me një vit më parë.

Pikërisht rritja e ndrydhur e të ardhurave është dhe rezerva e parë që opozita ka ndaj buxhetit. Pasi në raport me produktin e brendshëm bruto, të ardhurat nga taksat mbeten në të njëtin nivel me ato të këtij viti, 28.2 për qind, duke  mos planifikuar asnjë rritje nga lufta ndaj informalitetit.

Një tjetër pikë e debatuar është ajo e investimeve publike, të cilat vitin e ardhshëm do të jenë më të ulëta se ato të këtij viti.

Në draftin e vitit 2009 qeveria ka planifikuar të investojë 90 miliardë lekë ose 7.6 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, kur për këtë vit shifra e investimeve është 94.4 miliardë lekë ose 8.8 për qind e produktit të brendshëm bruto.

Buxheti i vitit 2009 vjen në një kohë kur ekonomia shqiptare pritet të përballet me efektet e krizës globale. Qeveria ka planifikuar një fond rezervë prej 15.7 miliardë lekësh për t'i bërë ballë goditjeve të mundshme.

Por nga kjo shumë ka të lira vetëm 6 miliardë lekë, pasi 7 miliardë janë të destinuara për rritje pagash, ndërsa pjesë tjetër është kontigjencë e këshillit të ministrave. Opozita thotë se kjo rezervë nuk jep garanci për të mbrojtur ekonominë.

Por ky moment i paqartë për ecurinë e ekonomisë nuk ka nxitur një rritje të zërave social, të cilat destinohen për të mbrojtur shtresat në nevojë.

Për vitin e ardhshëm qeveria ka vënë në dispozicon të këtyre shtresave vetëm 1.4 të PBB-së ose 16.8 miliardë lekë, me një rritje fare të vogël krahasuar me një vit më parë ku zërat social zinin 15.4 miliardë lekë.

Për vitin e ardhshëm pagesa direkte për të papunët do të jetë 1 miliardë lekë, ndihma ekonomike për shtresat në nevojë 13.8 miliardë lekë dhe kompesim për ish pronarët 2 miliardë lekë.

Pika e fundit e nxehtë e buxhetit, këtë radhë jo vetëm mes qeverisë dhe opozitës, mbetet deficiti. Në draftin e 2009 parashikohet një deficit prej 4.2 për qind të PBB-së, nga 5.2 që ishte për këtë vit.

Por Fondi Monetar, i cili përllogarit se në 2009 ekonomia shqiptare do të ngadalësojë ritmin, ka kërkuar me forcë një deficit jo më të madh se 3.5 për qind, si një garanci ndaj cdo goditje të ekonomisë, kërkesë që nuk u morr parasysh nga qeveria.
 
Edhe pse është më i madhi i hartuar ndonjëherë në shqipëri, buxheti i vitit 2009 vec se në një kohë turbulencash ekonomike vjen edhe në një vit elektoral ndaj edhe rreziqet që i kanosen atij janë më të mëdha.

Qeveria thotë se pikërisht për këtë ka paraqitur një draft konservator ku ka parashikuar shifra realiste, por opozita mendon ndryshe.  



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›