Cekia dhuron tre bursa për studiuesit shqiptarë
TIRANE- Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës programet e studimit për master ose doktoraturë do të zhvillohen në gjuhën angleze dhe do të jenë në fushat e bujqësisë, ekonomisë dhe biznesit, informatikës dhe inxhinierisë civile.
Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë në MASH ka publikuar për të interesuarit mënyrën e aplikimit për të përfituar nga bursat çeke. Për programet e studimit të nivelit master dokumentat duhet të përfshijnë formularin e aplikimit me fotografi; kopjen e noterizuar të diplomës ose të ndonjë dokumenti të ngjashëm që vërteton mbarimin e programit të studimit të nivelit I të studimeve të larta; kopjen e noterizuar të Suplementit të Diplomës ose listën e leksioneve dhe listën e notave.
Për programet e studimit për doktoraturë aplikanti duhet të dorëzojë formularin e aplikimit me fotografi, kopjen e noterizuar të diplomës ose të ndonjë dokumenti të ngjashëm që vërteton mbarimin e programit të studimit të nivelit master; kopjen e noterizuar të Suplimentit të Diplomës ose listën e leksioneve dhe listën e notave; listën e botimeve të artikujve të ndryshëm, të përkthyer në anglisht; një përmbledhje të çështjeve profesionale ku aplikanti synon të përqendrohet gjatë studimeve për doktoraturë, e përkthyer në anglisht; temën që mendohet të mbahet dizertacioni.
Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është data 09 dhjetor 2008. Mbas dorëzimit të dokumentacionit, aplikantët do të paraqiten pranë Ambasadës Çeke në Tiranë për të zhvilluar një testim lidhur me njohjen e gjuhës angleze.
(s.g/BalkanWeb)