E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, injoron fermerët

Me 11.6 milionë euro të ndara për bujqësinë, mendohet se në mot do të mjaftojnë për Ministrinë e Bujqësisë. Me këtë para duhet të financohen projektet dhe të mbulohen kërkesat e fermerëve, kryesisht për subvencione. Kësaj ministrie i ka mbetur hatri, pasi që do ta ketë vështirë të mbulojë premtimet që ka dhënë.

Njazi Idrizi, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se buxheti as për së afërmi nuk mbështet nevojat.

Nevojat janë shumë të mëdha, e mundësitë buxhetore ende janë të kufizuara, ka thënë Idrizi.

Ndërsa viti 2009 ka treguar ditë të këqija për këtë sektor, sado që ministria në buxhet kishte 500 mijë euro më shumë se që do të ketë në mot. Prodhuesit e qumështit nga zemra e plastë rrugëve patën derdhur qumështin. Probleme kishin kultivuesit e grurit, që kërkonin subvencione. Ndërkaq, blegtorët nisën të mbyllin fermat. Megjithëkëtë, zyrtarë të ministrisë nuk e humbin optimizmin.

Shpresojmë se të gjitha fermat që punojnë do ta kenë mbështetjen financiare. Sivjet 15 mijë ferma kanë shfrytëzuar me 5.2 milionë euro grante, tha Idrizi.

Idrizi thotë se ka pasur kërkesa për buxhet më të madh për disa projekte. Megjithatë, përgjigja, sipas tij, ka qenë se me rishikim të buxhetit të përsëriten kërkesat dhe ndoshta merren parasysh.

Ministria e Financave është ajo që ndanë kulaçin buxhetor. Por, as pas tri ditë pritjeje kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje për kriteret mbi të cilat Ministrisë së Bujqësisë i ka dhënë më paka para se sivjet.

Nga ana tjetër, ekspertët e bujqësisë thonë se ky buxhet tregon se bujqësia nuk e ka tretmanin që e meriton. Profesori Imer Rusinovci ka thënë së këto para nuk janë as 1 për qind nga buxheti i përgjithshëm.

Në vendet e rajonit bujqësisë i ndahen 6 deri në 8 për qind të buxhetit. Në Kosovë ka mundur të arrijë deri në 3 për qind, thotë ai.

Krahas buxhetit, Rusinovci ka thënë se bujqësia është në ketë gjendje edhe për shkak të importit të lartë.

Kemi rreth 600 milionë euro import të prodhimeve bujqësore dhe të ushqimeve, thotë ai.

Ministria e Bujqësisë e vetme, sipas tij, nuk mund ta zhvillojë bujqësinë, por duhet të ketë koordinim me institucionet tjera, posaçërisht me Ministrinë e Financave. Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, gjatë këtij viti, është treguar ambicioze në prezantimin e projekteve dhe ka përkrahur fermerët aq sa ka pasur mundësi. Ajo ka krijuar 10 skema mbështetëse për shumë kultura bujqësore dhe blegtorale.

Kemi pasur edhe investime kapitale, si në ujitje, pajisje për laborator, kemi investuar në kadastër të vreshtave dhe konsolidim të tokës, thotë Idrizi, duke shtuar se për të parën herë dora e shtetit po jep për fermerët.

Ai shpreson se sikurse ketë vit, edhe në mot me rishikimin e buxhetit ministria do të përfitojë mjete shtesë. Megjithatë, burimi më i sigurt i mjeteve mbesin donacionet nga Komisioni Evropian. Zyrtarët e Ministrisë se Bujqësisë thonë se zyra ndërlidhëse e KE`së në Prishtinë do të mbështesë në mot me 5 milionë fermat e mëdha.

Nga ky donacion do të përfitojnë shumë fermerë, thotë Idrizi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›