Buxheti, ja kur rriten pagat dhe pensionet
Debate në Kuvend për parashikimet financiare dhe çështjen e parave që do të shpenzohen për rrugën Durrës-Kukës
Miratohet, në parim, buxheti i vitit 2009. Mazhoranca arrin 77 vota, opozita voton kundër
TIRANË - Mazhoranca miratoi mbrëmë, me votat e saj, projektbuxhetin e viti 2009, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme të deputetëve të majtë. Gjatë votimit të mbrëmshëm, buxheti u kalua me 77 vota pro, 45 kundër dhe një abstenim. Miratimi i buxhetit në parim, i hap dritën jeshile edhe rritjes së parashikuar të rrogave e pensioneve. Buxheti parashikon rritje të ndjeshme të rrogave për arsimtarët, mjekët dhe infermierët. Ndërkohë, pensionistët në qytet do të kenë një rritje të ndjeshme prej 10 për qind. Për pensionistët në fshat, është parashikuar një rritje prej 20 për qind. Të gjitha këto rritje do të kryhen nga qeveria në maj të vitit të ardhshëm, pikërisht përpara zgjedhjeve parlamentare, e jo në korrik-gusht, ashtu siç janë kryer çdo vit. Në buxhet është parashikuar edhe që administrata shtetërore do të "kushtojë" sa 6.2 për qind e prodhimit të brendshëm të vendit.
Socialistët
Nëpërmjet Kryetares së Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj, deputetët socialistë e kishin deklaruar votën e tyre kundër buxhetit, disa orë përpara zhvillimit të seancës. Në konferencën për shtyp, Leskaj deklaroi se vota e Grupit Socialist do të ishte votë kundër, sepse nuk mund të jetë votë pro një buxheti, që varfëron shqiptarët. Duke përmendur edhe disa nga arsyet që i detyrojnë socialistët të votojnë kundër, Leskaj theksoi se ky buxhet paraqet probleme me mungesën e një paketë antikrizë, ndërkohë që të gjitha vendet evropiane dhe përtej tyre, kanë marrë masat për të përballuar krizën që është në derë edhe për Shqipërinë. "Në buxhet nuk kemi një paketë serioze antikrizë dhe kjo është një tjetër element garancie, që varfëria do të thellohet", - pohoi Leskaj. Ajo theksoi gjithashtu se, ky buxhet paraqet problem edhe për ish-pronarët dhe të përndjekurit. Leskaj i bëri thirrje qeverisë që, kësaj here, të marrë në konsideratë propozimet që do të bëjë nesër Grupi Parlamentar Socialist. "Ne kemi përgatitur një paketë propozimesh, të cilën do ta paraqesim nesër në formën e një buxheti alternativ. Shpresoj që qeveria të reflektojë, edhe pse ne e bëmë këtë vitin e kaluar, por nuk u mor në konsiderate",- theksoi Leskaj.
Durrës-Kukës
Duke mos u përqendruar tek propozimet për buxhetin, por tek abuzimet që, sipas tij, qeveria ka kryer, nënkryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, kundërshtoi përqendrimin e 80 % të totalit të fondeve për rrugët, vetëm në aksin Rrëshen-Kalimash. "Vetëm abuzimi me rritjen e çmimeve për gërmimin e rrugës Rrëshen –Kalimash është 232 milionë euro dhe, këto para, do të mjaftonin të ndërtoheshin 15 mijë e 900 apartamente. Kjo është vjedhja më e madhe në historinë e vendit, dhe shqiptarët do të paguajnë për këtë vjedhje, për vite me radhë", - tha Braçe, në lidhje me abuzimet qe pretendohet se janë bërë në këtë rrugë. Në lidhje me buxhetin, deputeti demokrat, Pal Dajçi, e konsideroi atë si më të madhin të propozuar ndonjëherë. "Me këtë projektbuxhet, unë si deputet, përmbush mandatin tim ne rritjen e pagave dhe i them elektoratit, se deri në maj të 2009-ës, kontrata jonë do të përmbushet dhe qeveria do të përmbushë premtimet", - pohoi Dajçi.