Buxheti, institucionet e pavarura kërkojnë rritje fondesh
TIRANË- Thuajse të gjitha institucionet shtetërore, kushtetuese dhe të pavarura kanë kërkuar fonde shtesë nga projektbuxheti i vitit 2009 e cila mbrëmë u miratua në parim nga Kuvendi. Ka qenë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, që përmes një raporti të hollësishëm i ka kërkuar Komisionit të Ekonomisë që të marrë parasysh disa nga kërkesat e këtyre institucioneve që u bënë zyrtare pikërisht gjatë seancave dëgjimore që u zhvilluan me këto të fundit. Nga raporti i përgatitur rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar rritjen e numrit të punonjësve për vitin 2009, nga 41 në 46, kërkesë e cila është marrë parasysh nga Komisioni i Ligjeve. Komisioni në fjalë ka bërë të njëjtën gjë edhe për Prokurorinë e Përgjithshme ku ka marrë parasysh pikërisht kërkesën e kësaj të fundit për shtimin e numrit të punonjësve me 11 magjistratë, të cilët mbarojnë këtë vit shkollën. Për sa i përket zërit të investimeve, komisioni i ligjeve rekomandon që Prokurorisë ti akordohet fondi i hequr nga kërkesat për ndërtimin e godinës së prokurorisë së rrethit Korçë, ashtu siç ky fond është dhënë për gjykatën meqenëse do të jenë në të njëjtën godinë. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, komisioni i ligjeve është treguar zemërgjerë duke marrë parasysh të gjitha kërkesat që ajo ka për shtesë fondi, duke u nisur nga kërkesa për një shtesë në zërin e shpenzimeve operative prej 7 milion lekësh. Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar një shtesë në zërin për shpenzime operative prej 1 milion lekesh. Ndërsa Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka parashtruar kërkesat e saj për rritje të numrit të punonjësve, ku nga 5, Komisioni i Ligjeve ka marrë parasysh që të rriten vetëm 3 prej tyre. Ligjet kanë mbështetur gjithashtu edhe kërkesat e Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për një shtesë prej 7 milion lekësh në zërin shpenzime operative, duke kërkuar në të njëjtën kohë që ky institucion të fillojë funksionimin e tij sa më parë. Komisioni i Ligjeve e cilëson të drejtë edhe kërkesën e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Ristani, lidhur me rritjen e numrit të punonjësve, 2 pedagogë të përhershëm dhe një punëtor mirëmbajtje.