Obama dhe konservatorizmi ynë i provincës

Në një shkrim të titulluar “Mallkimi kinez, Obama dhe e majta shqiptare”, jam përpjekur të tërheq vëmendjen e publikut ndaj asaj çka do të duhej të përfaqësonte, sipas gjykimit tim, fenomeni “Obama” për shqiptarët. E shkrova fill pas konventës së Denverit, kur ai u zgjodh si kandidat për president. U desh të fitonte që të flitej ca më shumë për të. E megjithatë, ndjehet mungesa e konceptualizimit të kësaj fitoreje në kontekstin shqiptar. Ky shkrim është një përpjekje e dytë në këtë drejtim.
Dy janë aspektet ku fokusohet fitorja e Obamës, komplemantarë me njëri-tjetrin. Njëri lidhet me faktin se për herë të parë në historinë e SHBA-ve kemi një president të zi. Të gjithë sot në SHBA, por edhe jashtë, kujtojnë se Shtëpia e Bardhë, e cila ka mbaruar së ndërtuari në vitin 1800, është ndërtuar nga skllevër të zinj. Dhe fakti se sot atje do të hyjë në rolin e presidentit një i zi, konsiderohet si një fitore simbolike kundër racizmit. Është një fitore të cilën mund të thuhet se Obama e ka arritur. Aspekti tjetër i fitores së tij lidhet me krizën e çrregullimit neoliberist që ka përshirë SHBA-të e mbarë botën, duke shtuar polarizimin midis të pasurve e të varfërve dhe sfidën e kapërcimit të saj, e cila është një sfidë të cilën nuk dimë nëse Obama do ta fitojë apo jo, por për momentin ai është njeriu që ka fituar besimin se mund ta zgjidhë atë.
Të dy këto aspekte të fitores së tij janë komplementarë me njëri-tjetrin, sepse të dy kanë një emërues të përbashkët: fitorja e Obamës ishte një shtysë e fuqishme e njerëzimit përdrejt barazisë së mundësisë, asaj racore dhe asaj ekonomike, sociale gjithashtu. Të dy këta aspekte të fitores janë shumë të rëndësishme edhe për kulturën shqiptare. Fitorja mbi racizmin është e rëndësishme, sepse realizimi i ëndrrës së Martin Luter Kingut nuk ka lidhje vetëm me racizmin në SHBA, por me çdo lloj racizmi dhe me çdo lloj pabarazie. Pra, edhe me racizmin shqiptar. A janë shqiptarët racistë? Po, dhe shumë madje. Ne jemi njëherësh subjekte dhe objekte të racizmit. Ne jemi racistë ndaj të zinjve, romëve, evgjitëve, të verdhëve, por edhe ndaj atyre të bardhëve të ndryshëm prej nesh etnolinguistikisht, si grekët, serbët, turqit, vllehët, të cilët i kemi demonizuar në emër të nacionalizmit tonë. Por ne jemi edhe viktima të racizmit në Greqi apo Itali veçanërisht, por edhe në Serbi, Maqedoni. Por ne jemi racistë edhe brenda vetes, mjaft të kesh parasysh përçmime reciproke krahinore, përçmime për shkak të feve të ndryshme apo edhe mallkimin që del shpesh nga goja e shqiptarëve për vetveten: “Jemi racë e keqe”. Fitorja e Obamës në kuptimin e saj simbolik është hapja e një horizonti të ri kundrejt barazisë së të gjithë individëve ngritur mbi konceptin se njeriu nuk është produkt i racës, por i kulturës e, në këtë kontekst, edhe për drejt barazisë së popujve.
A mund të ndikojë fitorja e Obamës që shqiptarët të jenë më pak racistë? Sigurisht që “Po” e do të ishte përgjigja e parë e menjëhershme. Por do të shtoja se, në raport me çka pritet, përgjigja ndaj kësaj pyetjeje përmban edhe një “Jo” aspak të dobët. Si shkak kryesor i kësaj “Jo”-je shoh një fenomen që do ta quaja konservatorizmi ynë i provincës. Ngjarje të tilla si zgjedhja e një të ziu si president i SHBA-ve ne e shohim në këtë provincën tonë edhe sikur të bëhet fjalë për një film të huaj që nuk flet për realitetin tonë - shëmbëllyeshëm me filmat erotikë, për aktorët e të cilëve themi se nuk i përkasin botës sonë reale. Këto gjëra ndodhin atje, por jo këtu tek ne, është mendimi mbizotërues. Neve na duhet kohë, ndoshta një shekull, të arrijmë deri atje. E me këtë mendim “qetësues” vazhdojmë të mos e vëmë në dyshim vetveten dhe tabutë e gjyshstërgjyshërve. Pra, ne mund ta adhurojmë Obamën në SHBA gjithnjë duke përçmuar të zinjtë në vendin tonë. Ashtu siç e tregon edhe ajo anekdota, sipas së cilës, kur i biri shkon t'i thotë të atit se është “gay”, ky i përgjigjet: “Gay” janë ata në Perëndim, biri im. Ti je bythqirë”.
Por ka edhe një aspekt tjetër sesi shfaqet provincializmi ynë, paradoksalisht i kundërt me atë që sapo përmenda. Një kategori, e përbërë kryesisht nga elitat e provincës sonë, ka prirjen e imitimit apo receptimit sipërfaqësor të asaj që bëhet në kryeqendrën e perandorisë. Një nga karakteristikat e këtij provincializmi është se provinca nuk i përpunon vetë, me syrin e saj kritik, vlerat e metropolit. Ajo nuk ka pionierët e saj që bëhen promotorë të ndryshmit brenda vetes. Ajo i merr ndryshimet të gatshme kur ato bëhen pushtet mbizotërues. Për shembull: shumica e elitës sonë ka qenë e mbetet për dënimin me vdekje, por e hoqi atë sapo na e kërkoi Evropa. Shumica i përçmon dhe i dënon homoseksualët, por iu desh ta heqë ligjin e dënimit të tyre me burg, sepse kështu deshi Evropa. Është nacionaliste e raciste, por për Evropën mund të adoptojë një gjuhë kozmopolite. Është mizogjene, por, po t’ua kërkojë Evropa, sa hap e mbyll sytë mund ta mbushë parlamentin me gra. Më shumë se me çdo gjë, ky aspekt i receptimit të mesazheve të kryeqendrës së perandorisë lidhet me nevojën që kanë elitat tona në pushtet për mbështetjen e kryeqendrës për të sunduar nënshtetasit e tyre në provincë. Nëse për të sunduar do të duhej të lyenin fytyrën me të zezë, njerëz si kryetarët e partive tona nuk do të hezitonin asnjë çast ta bënin këtë. Dikush mund të thotë se kjo gjithsesi është pozitive, sepse progresi mund të vijë edhe nëpërmjet imitimit. Pa dyshim, fakti që duke imituar Perëndimin ne hoqëm dënimin me vdekje, hoqëm dënimin kundër homoseksualizmit, vendosëm pluralizmin politik, po bëjmë ligje për pjesëmarrjen e grave në parlament, po kërkojmë të ndajmë pushtetet - sa shumë janë gjërat që i kemi bërë jo pse i ndjejmë, por pse imitojmë - kanë anën e tyre pozitive. Por nuk mund të mos vëmë re ndryshimin për keq që ka midis imitimit kësisoj të vlerave kulturore perëndimore, që ndryshe e quajmë majmunëri, dhe përthithjes së tyre nëpërmjet procesesh që përmbajnë edhe besimin e vërtetë në këto vlera edhe mekanizmat e qëndrimit kritik ndaj tyre, ku hyn edhe pasja parasysh e kontekstit ku do të implementohen. Ka shumë ndryshim. Në thelbin e vet ndryshimi konsiston në rrezikun e tjetërsimit të këtyre vlerave, të keqpërdorimin të tyre në funksion të pushtetit dhe jo të emancipimit të shoqërisë, në mosimplementimin e vërtetë të tyre, në dyfytyrësinë që zhvillojnë etj.
Një ilustrim i atyre që thashë më lart është edhe aspekti tjetër i fitores së Obamës që lidhet me krizën e ekonomisë financiare dhe reale që ka përfshirë sot SHBA-të dhe Evropën. Ajo është një krizë e shkaktuar nga “fondamentalizmi i tregut”, pra nga ngritja në kult e tregut të lirë dhe privates mënjanë, dhe dobësimi i rolit të shtetit dhe publikes në anën tjetër. Mënyra sesi ne e morëm neoliberizmin këtu në provincë përmbante në vetvete të gjitha karakteristikat negative të sipërpërmendura. Ai u mor në mënyrë të verbër aspak kritike, u keqpërdor në emër interesash private dhe në thelb mund të thuhet se është tjetërsuar, por kurrsesi se është implementuar. Hibridi i dalë është një monstër që po ha përditë edhe krijuesit e vet.
Sikurse kam shkruar edhe më parë, kjo krizë po tregon se lënia e fateve të njerëzve në “dorën e fshehtë” të tregut shpie në rënien e fateve të njerëzve nën dorën e zezë të spekulantëve. Përpara saj, sot komentohen fort fjalët e Obamës gjatë fushatës elektorale: “Kemi nevojë për një ekonomi që nderon dinjitetin e punës”, në të cilën “për punë të barabartë, jepet pagë e barabartë” për “rishpërndarje më të mirë të pasurisë”. Është shumë kurioze të shohim sesi do të përthyhen ato në republikën tonë të konservatorizmit e majmunërisë së provincës?