Socialistët: Berisha bën demagogji me pagat
TIRANË- Gjatë seancës së mbrëmshme për miratimin e projektbuxhetit për vitin 2009, deputetët socialistë, Marko Bello dhe Tauland Balla, parashtruan disa nga arsyet që i detyron ata të votojnë kundër. Në fjalën e tij, deputeti Bello, e konsideroi të dështuar nismën kryeministrit për të luftuar korrupsionin. "Atij që Berisha e quajti kalin e betejës, tashmë i kanë rënë thundrat, ndërsa ai kërkon t'i vendosë patkonj", - deklaroi deputeti Bello. Ai u ndal edhe tek kriza financiare botërore dhe, veçanërisht, në vendet ku kanë emigruar shqiptarët, e cila rrezikon të përcillet edhe në vendin tonë nëpërmjet uljes së dërgesave të tyre. Sipas Bellos, qeveria s'ka marrë asnjë masë ndaj saj dhe bën sikur nuk e sheh, edhe pse ajo ka prekur të gjithë botën. "Kjo qeveri nuk ka më kapacitete për ta nxjerrë këtë vend nga kriza. Pa ndihmën e emigrantëve, ekonomia shqiptare do të jetë në krizë të plotë", - tha Bello"
Nga ana tjetër, deputeti Taulant Balla, i quajti demagogji deklaratat e kryeministrit, në të cilat ai krahasonte nivelin e pagave të ulëta të Shqipërisë me vendet e tjera. Sipas Ballës, kryeministri bën krahasim me vendet e tjera, duke i quajtur me nivele pagash më të ulët, në krahasim me vendin tonë për të justifikuar varfërinë që ka pllakosur vendin. "Kryeministri tha se niveli i pagës mesatare në Shqipëri është më i lartë se vende si: Kroacia, Rumania, Bullgaria, etj. Unë po ju them se, një kroat, merr minimalisht 380,97 euro në muaj. Kryeministri deklaroi se pastruesja e institucionit të tij paguhet njësoj sa një pastruese në vendet baltike, unë ju them se pastruesja atje paguhet tre herë më shumë se personi që deklaroi Berisha",- pohoi deputeti Balla. Duke i quajtur premtimet e qeverisë të tipit "punist", edhe Balla iu referua sondazhit të "Gallup"-it, për të thënë se 32 % të pagës që qeveria pretendon se e ka rritur, shqiptarëve u merren në mënyra të ndryshme, nëpërmjet sistemit korruptiv të institucioneve publike. "Një familje prej 5 vetash, me prindërit mësues dhe infermierë, me rrogat që aktualisht ata marrin, e kanë të pamundur ta dërgojnë fëmijën e madh në universitet, të dytin në shkollë të mesme dhe të tretin në fillore", - deklaroi Balla. Duke replikuar me Ballën, deputeti demokrat, Pal Dajçi, theksoi se korrupsion i përmendur në raport, u referohet aferave të pushtetit vendor. "Raporti për korrupsion, që bëhet nga ndërkombëtarët, nuk bëhet vetëm për qeverinë, por edhe për pushtetin vendor", - pohoi Dajçi. Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist citoi edhe disa shifra, të cilat duhet të paguajnë aplikantët për vende pune në sektorin publik. "Për një vend pune në pozicionin mësues, një aplikant duhet të paguajë 50 mijë lekë, për t'u punësuar si infermier, shifra arrin në 1500 euro, për pozicionin drejtor, shifra fillon më 5 mijë euro, në qoftë se je militant i partisë demokratike, dhe 10 mijë euro për ata që nuk janë të tillë", - deklaroi Balla.