E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti shtyn seancat e Kuvendit deri më 26 korrik

Sot mblidhet konferenca e kryetarëve për vendimin

Buxheti i shtetit do të zgjasë numrin e punimeve të seancave të Kuvendit dhe do të pengojë në të njëjtën kohë deputetët të nisin pushimet para kohe. Konferenca e kryetarëve që pritet të mblidhet gjatë kësaj jave, do të shtojë në kalendarin e punimeve të Parlamentit edhe një seancë më shumë, posaçërisht për buxhetit e shtetit. Seanca e fundit e parashikuar të ishte në datën 22 korrik, do të zhvillohet në datën 26 korrik. Të hënën e fundit të muajit korrik do të zhvillohet seanca e posaçme për buxhetin e shtetit. Aktualisht godina e Parlamentit i është nënshtruar rikonstruksionit, i cili pritet të përfundojë gjatë muajve të verës. Në shtator, Kuvendi do të nisë punimet e sesionit të tretë me një imazh të ri për 140 deputetët dhe ministrat.

Punimet e Kuvendit

Në seancën e 22 korrikut, Parlamenti ka përfshirë në rendin e ditës 17 pika për diskutim dhe miratim, nga të cilat 15 prej tyre janë projektligje. Projektligji më i rëndësishëm, i cili pritet të shkaktojë debate në sallën e Kuvendit, është ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në datën 26 korrik Parlamenti do të votojë buxhetin e ri të shtetit, për të cilin Ministria e Financave ka bërë shkurtime të ndjeshme në shpenzimet e institucioneve buxhetore.

Projektligjet

Komisionet parlamentare do të kenë një axhendë të ngjeshur gjatë kësaj jave, duke marrë në shqyrtim një seri projektligjesh të mbërritura nga Këshilli i Ministrave. Ditën e sotme, Komisioni i Ekonomisë do të shqyrtojë buxhetin e ri të shtetit, Komisioni i Ligjeve do të paraqesë relacionin për kandidatin e tretë të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmatajn dhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të nisë shqyrtimin për projektligjin për shërbimin Informativ Shtetëror.

Buxheti

Ministria e Financave ka shkurtuar ndjeshëm shpenzimet në të gjitha ministritë dhe institucionet shtetërore. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Shëndetësisë janë dy dikasteret më të prekura nga shkurtimi i fondeve për këtë vit. Në total qeveria ka shkurtuar rreth 39 miliardë lekë, ku afërisht 25 për qind i takojnë Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit. Institucionet e nivelit të lartë do të preken gjithashtu nga shkurtimi i fondeve. Për institucionin e drejtuar nga Kryeministri Berisha janë shkurtuar 32 milionë lekë, për institucionin e drejtuar nga Jozefina Topalli janë hequr 68 milionë lekë në krahasim me një vit më parë dhe për Presidentin e Republikës 26 milionë lekë më pak. Për Prokurorinë shkurtimi i fondeve është përcaktuar në masën 80 milionë lekë, për Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor do të jenë gati 50 milionë lekë më pak, për Gjykatën Kushtetuese 10 milionë lekë më pak, kurse për Shërbimin Informativ Shtetëror rreth 90 milionë lekë të reduktuara.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›