E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, sot miratimi nen për nen, PS paketë propozimesh

Kuvendi do të ketë sot në rend të ditës dhe një pikë të dytë, më të rëndësishme se ajo për Kodin Rrugor. Pra bëhet fjalë për miratimin nen për nen të Buxhetit të Shtetit. Ndërsa diskutimet u zhvilluan javën e shkuar gjatë kalimit në parim, sot nuk priten debate dhe as surpriza në votim, pasi dihet tashmë qëndrimi refuzues i opozitës për ta votuar pro këtë buxhet pa marrë parasysh 8 propozimet e paraqitura prej tyre gjatë seancës së shkuar nga kryetari i grupit, Gramoz Ruçi. Megjithatë, siç mësohet nga burime pranë grupit parlamentar socialist, deputetët e majtë do t’i paraqesin sërish amendamentet e tyre gjatë shqyrtimit nen për nen të këtij buxheti. Më konkretisht, disa prej këtyre amendamenteve janë: të parashikohen në buxhet efektet e ndryshimit të TVSH-së për pagat, ku ata që paguhen më shumë të paguajnë më shumë, ndërsa për pagat e ulëta ajo të ndryshojë duke u ulur; ulje të TVSH-së së bukës, qumështit, miellit, vezëve, 17 për qind më pak dhe vaji, sheqeri dhe orizi 18 %. Gjithashtu, pjesë e kësaj pakete propozimesh është dhe ulja e TVSH-së për ilaçet për shtresat me të ardhura të pakta dhe ngritja për shtresat me të ardhura të larta. Propozimet e grupit parlamentar socialist prekin edhe fushën e fshatit dhe më konkretisht uljen e taksave për karburantit, të plehrave dhe pesticideve për bujqësinë. Gjithashtu, socialistët propozojnë ndër të tjera edhe uljen e TVSH-së së energjisë elektrike me 6 % dhe parashikimin e efekteve të saj në buxhet. Një tjetër propozim është edhe ai për heqjen e TVSH-së së librit dhe parashikimin e efekteve të tij në buxhet. Dy propozimet e fundit të Ruçit ishin ato që prekin çështjen e pronave dhe të përndjekurit. Për të parën, socialistët kanë propozuar për të ngritur një komitet të përbashkët për të zgjidhur çështjen e pronës në Shqipëri, ndërkohë që për të dytën ka bërë propozimin që ekziston edhe në programin e PS-së që, kushdo nga të përndjekurit ka mbushur 70 vjeç, ta marrë dëmshpërblimin njëherësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›