E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Ahmeti: Rrugëtime të përbashkëta në të ardhmen

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë vizitës së tij në Maqedoni është takuar sot me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryesocialisti Rama theksoi se ka konsideratë të madhe për kreun e BDI-së Ahmeti pasi është një pikë referemi për shqiptarët, për kurajon dhe integritetin që ka treguar. Ai ka theksuar më tej se Partia Socialiste do të rrisë komunikimin me opozitën dhe me faktorët shqiptarë në rajon.
 

Nga ana e tij kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka theksuar se së bashku me Ramën kanë rënë dakort për rrugëtime të përbashkëta në të ardhmen. Ai gjithashtu ka përgëzuar Ramën për marrëveshjen e arritur me PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore dhe asaj parlamentare.

Kreu i selisë rozë Edi Rama pritet të takohet sot edhe me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi ndërsa gjatë qëndrimit në Tetovë do të bëjë promovimin e librit “Kurban” në ambientet e Universitetit Shtetëror të Tetovës.
 

Kryesocialisti Rama ditën e djeshme promovoi librin e tij në Qendrën teatrore për fëmijë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ndërsa më pas zhvilloi një takim me kreun e partisë Lidhja Social Demokrate Maqedonase, (LSDM), Branko Cërvenkovski.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›