Kodi Rrugor, sot prova e rezistencës së paktit PD-PS
Socialistët pritet t’i votojnë sot ndryshimet në Kodin Rrugor, duke i qëndruar kështu pjesës së tyre të marrëveshjes. Shalsi: Ka ende propozime për t’u diskutuar
Opozita pritet t’i rikthehet sot marrëveshjes së arritur para disa javësh me mazhorancën dhe të japë votën e saj për Kodin Rrugor. Pasi hezitoi javën e shkuar ta bënte një gjë të tillë, duke anuluar edhe seancën plenare të programuar, socialistët duket se kanë parë të arsyeshme të respektojnë pjesën e vet të paktit, megjithëse sipas tyre, ndryshimet e bëra në këtë Kod nuk janë ende gati. Megjithatë, dallimet që mund të kenë ende palët për pika të veçanta apo propozime shtesë, janë lënë që të diskutohen në seancë.
Seanca
Seanca e sotme plenare pritet të kthehet në një gur prove për qëndrueshmërinë e paktit të bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, të arritur prej disa javësh.
Megjithëse Kuvendi i ka paraprirë një qëndrimi refuzues të opozitës për t’i votuar ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor, burime pranë grupit parlamentar socialist kanë bërë të ditur se deputetët e majtë do të votojnë pro që në këtë seancë. Megjithëse nuk ka pasur një vendim zyrtar të kryesisë së grupit për këtë çështje, burime nga selia rozë kanë konfirmuar dje se mundësitë më të mëdha janë që ta votojnë këtë Kod. Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet t’u komunikohet deputetëve vetëm para fillimit të seancës. Ndërkohë që jo të gjithë deputetët socialistë e kanë konsideruar një gjë të tillë normale, për sa kohë komisioni përgjegjës, ai i Veprimtarisë Prodhuese nuk ka mbaruar së diskutuari draftin në fjalë. Sipas nënkryetarit të këtij komisioni, Eduard Shalsi, i cili ka paraqitur edhe disa propozime shtesë në këtë Kod, është i pashpjegueshëm nxitimi i mazhorancës për ta miratuar sa më parë një projekt të tillë. “Ka një nxitim të pajustifikuar nga ana e PD-së për ta kaluar me urgjencë Kodin në parlament, ndërkohë që ne i kemi marrë shumë seriozisht amendamentet dhe impaktin e tyre në realitetin shqiptar të mbytur në bilanc tragjik aksidentesh. Mendimi im personal është që të mos kalojnë nesër (sot). Për hir të së vërtetës, janë pranuar një numër i konsiderueshëm propozimesh, por janë dhe disa të tjera që meritojnë një shqyrtim adekuat, siç është për shembull, sistemi i pikëzimit të patentave. Ndaj mendoj se nuk është problem nëse shtyhet 1 apo 2 javë”, - ka thënë Shalsi dje për MAPO-n. Ishte pikërisht kërkesa e socialistëve në Konferencën e Kryetarëve që mbajti punimet mesjavën e shkuar, për disa ditë kohë, në mënyrë që të shqyrtoheshin të gjitha propozimet shtesë dhe që deputetët socialistë të zhvillonin një tryezë të posaçme me grupet e interesit për këtë çështje, ajo që bëri që të shtyhej edhe seanca e planifikuar të mbahej të enjten. Por ndërsa komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, në bazë të kësaj kërkese u mblodh të premten e shkuar për të marrë në shqyrtim propozimet shtesë të socialistëve, këta të fundit nuk u paraqitën në mbledhje, pasi ndodheshin në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Në këto kushte, kryetari i komisionit, Jemin Gjana deklaroi atë ditë mbylljen e diskutimeve për Kodin Rrugor, duke ia kaluar çështjen për vendimmarrje seancës plenare që do t’i zhvillojë punimet sot.
Kodi
Komisionet parlamentare kanë marrë në shqyrtim gjatë këtyre javëve tri nisma ligjore që bëjnë ndryshime në Kodin Rrugor. Me kërkesë të socialistëve u vendos që këto tri nisma të konsideroheshin si një e vetme, ndërsa po me propozimin e tyre ato pësuan një sërë ndryshimesh në komisionet përkatëse. Kështu, me këmbënguljen e deputetëve të majtë, pa votën e të cilëve këto ndryshime nuk miratohen dot, u vendos me konsensus që propozimi i Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor për të katërfishuar gjobat për kundravajtjet administrative, të reduktoheshin vetëm në dyfishim të tyre.