E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti suplementar, qeveria lë sektorët kyç të ekonomisë me financime minimale



Ervin Koçi

Qeveria ka lënë “në djetë” sektorët më kyç të ekonomisë së vendit, duke i kaluar atyre financime minimale nga buxheti suplementar i vitit 2008. Pagat, pensionet, bujqësia, turizmi, shëndetsia dhe arsimi, janë disa nga sektorët dhe kategoritë që kanë përfituar më pak fonde në këtë buxhet suplementar. Ndërkohë pjesën më të madhe e kanë “gllabëruar” edhe këtë herë infrastruktura rrugore dhe disa sektorë të tjerë, në një kohë që ministritë më të favorizuara kanë mbetur ajo e Punëve Pubike dhe e Ekonomisë. Jashtë vëmendjes së qeverisë kanë mbetur gjithashtu edhe sektorë dhe ministri të tjera me një rrol prioritar të momentit siç është Ministria e Mbrojtjes, fondet për të cilën kanë qenë mjaftë të kufizuara megjith aspiratën për t’u antarësuar në NATO së shpejti. Ndërkohë, nisur edhe nga vëzhgimet e bëra në projekt-buxhet në lidhje me kalimin e fondeve, shpenzimet për investime në infrastrukturë kanë mbetur sërish më të lartat në këto tri vitet e fundit. Por ndryshe nga vjet, sivjet ato janë rritur ndjeshëm në raport me shpenzimet administrative, ku edhe këtë herë pjesa më e madhe e buxhetit ka kaluar për rrugët dhe kryesisht për atë Durrës-Kukës-Morinë.

Shpërndarja e fondeve

Gati gjysma e fondeve të llogaritura në shtesën buxhetore për gjysmën e dytë të vitit 2008, janë vetëm një rishpërndarje e fondeve që nuk kanë mundur të shpenzohen në pjesën e parë të vitit, sipas programit buxhetor 2008. Nga tejkalimet e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, por edhe nga burime të tjera janë akumuluar rreth 14 miliardë lekë, sipas Ministrisë së Financave. Ndërsa pjesa tjetër e fondeve që plotësojnë 300 milionë dollarët e buxhetit, janë shpenzime të parealizuara sipas programit të shpenzimeve të llogaritura për vitin 2008. Ministria e Financave, ka bërë një "skaner" të shpenzimeve dhe ka vendosur që pjesa më e madhe e fondeve të buxhetit do të shkojnë për infrastrukturën rrugore, sidomos për veprat e mëdha, të tilla si rruga Durrës-Kukës dhe rrugë të tjera nacionale, përgjatë rivierës shqiptare. Financat do të kanalizojnë fondet që ishin akorduar në disa projekte të vogla, por që nuk ishin realizuar për t'i kaluar ato në investimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës të përfshira edhe në prioritete kombëtare. Gjithashtu një pjesë e fondeve që do të rishpërndahen do të përdoren nga qeveria për shlyerjen e borxhit të jashtëm dhe atij të brendëshëm. Në këtë buxhet gjysma e të ardhurave janë rezultat i privatizimit të ndërmarrjes së prodhimit dhe përpunimit të naftës, “ARMO”. Pjesa që do të investohet në infrastrukturë është rreth 63 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 62 milionë eurosh do të shkojë për shlyerjen e borxhit.

Shpenzimet qeveritare

Zëri i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes në raport me PBB-në, nga 3.2 për qind të PBB-së në vitin 2004, në vitin 2008 është 2.6 për qind. Pjesë e këtij zëri është edhe fondi për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, si dhe shpenzimet për funksionimin e shkollave dhe spitaleve. Këto zëra janë konsideruar prioritare në programin e qeverisë dhe prandaj madhësia e tyre në raport me PBB-në është në rritje. Shpenzimet për administratën qëndrore (telefoni, udhëtime, dieta), pritje, përcjellje etj., kanë pësuar ulje të ndjeshme, sipas Ministrisë së Financave. Nga 1.45 për qind që ishte niveli i këtyre shpenzime në raport me PBB-në në vitin 2004, niveli i tyre arriti në 1 për qind në 2008. Investimet publike përfshirë ato me financim të brendshëm dhe të huaj gjatë vitit 2008 pritet të realizohen në masën 100 për qind. Investimet me financim të brendshëm gjatë periudhës janar-qershor janë realizuar në masën 92.7 për qind. Rreth 1 për qind e PBB-së ka arritur niveli i shpenzimeve për administratën qëndrore gjatë vitit 2008, nga 1.45 për qind që ishte në vitin 2004.

Pagat dhe pensionet

Vetëm 6 miliardë lekë nga buxheti shtesë do të përdoren për të kompensuar efektet e rritjes së pagave dhe pensioneve në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Duke nisur nga 1 korriku i këtij viti, pensionet, pagat dhe ndihma financiare kanë pësuar një rritje, nga e cila kanë përfituar rreth 800 mijë familje. Pensionët në fshat janë 15 për qind, në qytet 10 për qind, ndihma ekonomike me 10 për qind, rrogat e arsimtarëve 14 për qind, për infermierët 14-15 për qind, për rrogëtarët e përgjithshëm 7 për qind. Rreth 170 mijë pensionistë, të cilët paguheshin me rreth 63 mijë lekë, kanë një rritje prej15 për qind, si kompensim për inflacionin. Për pensionistët e qytetit, pensioni minimal është në vlerën 110 mijë lekë. Ndërkohë Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka këshilluar qeverinë që të mos rrisë pagat e administratës, si dhe të mos i përqëndrojë të gjitha investimet për në pjesën e fundit të vitit, pasi mund të thellojë inflacionin.

23 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›