E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Opozita të bashkëpunojë për të ndalur Berishën



Shaban Sulçe
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka kërkuar nga të gjitha partitë e opozitës, përfshirë edhe Partinë Socialiste për t’iu rikthyer dialogut dhe bashkëpunimit, për të ndalur planet tinzare të kryeministrit Berisha. Meta tha se LSI-ja është e hapur të dialogojë me të gjithë partitë e opozitës, jo vetëm për të mbrojtur nga manipulimet e Berishës zgjedhjet e vitit 2009, por edhe për çështjet e tjera prioritare që kanë të bëjnë me demokracinë dhe zhvillimin e vendit. ““Si një forcë politike serioze Lëvizja Socialiste për Integrim është për dialog me të gjitha partitë, në radhë të parë parlamentare, por edhe ato jashtë Parlamentit, për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit”, tha Meta.
Zgjedhjet

Kryetari i LSI-së Ilir Meta u shpreh se kryesia e LSI-së kishte mandatuar Zëvëndëskryetarin Pëllumb Xhufi për të negociuar me kryetaren e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj. Sipas Metës ky takim do t’i shërbejë qëllimit që në vitin 2009, Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Sikurse e dini, kërkesa që ka bërë kryetari i grupit tonë parlamentar për takim kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, zonjës Leskaj, është shprehje e vullnetit shumë të mirë dhe konstruktiv që ka patur dhe ka gjithmonë Lëvizja Socialiste për Integrim, në radhë të parë për të kontribuar që vendi ynë të ketë zgjedhje të ndershme, të lira dhe me integritet në vitin 2009”, vijoi kryetari i LSI-së.
Opozita
Ilir Meta u bëri thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë të opozitës, që të nisin menjëherë dialogun dhe bashkëpunimin për të ndalur planet e Berishës. Meta theksoi se opozita shqiptare dhe asnjë segment i saj nuk duhet të vazhdojë te jëtë strehë dhe në shërbim të kryeministrit Berisha. “Së dyti, që opozita shqiptare dhe asnjë segment i saj të mos bëhet strehë dhe njëkohësisht, të mos i shërbejë, qoftë edhe pa dashje, Sali Berishës për të manipuluar dhe për të prishur zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Në këtë drejtim, ne kemi qenë dhe jemi të hapur për tu takuar për këtë çështje, jo vetëm me Partinë Socialiste, të çfarëdo niveli, por me çdo forcë tjetër politike parlamentare dhe joparlamentare”, tha Meta. Pavarësisht kësaj ftese, Meta theksoi se LSI-ja i qëndron koherente shqetësimeve dhe akuzave të saj, ndaj bashkimit të votave të deputetëve socialistë me ata të PD-së për të ndryshuar Kushtetutën. Ai tha se nëse do të ishte dëgjuar shqetësimi i LSI-së, Berisha nuk do të merrte këtë superxhiro, por do të ishte vënë përpara drejtësisë, për Gërdecin dhe fatkeqësitë e tjera që i ka shkaktuar vendit. “Njëkohësisht, dua t’ju bëj me dije se kjo kërkesë e natyrshme për takim nuk ka të bëjë me rishikimin e qëndrimeve shumë të drejta dhe koherente politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbrojtje të Kushtetutës demokratike dhe europiane të miratuar nga populli shqiptar në vitin 1998 dhe të dhunuar padrejtësisht dhe pabesisht nga 115 deputetë në 21 Prill të këtij viti. Nuk ka të bëjë as me shumë çështje të tjera, kur ne kemi shprehur me të drejtë shqetësimin tonë për cënimin e pavarësisë së gjyqësorit, për cënimin e autoritetit të Presidentit të Republikës, të cilat, të gjithë së bashku, kanë kontribuar në fuqizimin e pushteteve të Sali Berishës”, deklaroi kryetari i LSI-së Ilir Meta.

23 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›