Turistët maqedonas, mbi 10 mijë pushues “zbarkojnë” në bregdetin shqiptar
Ervin Koçi
Turistët nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ose e thënë ndryshe shtetas maqedonas me kombësi joshqiptare, janë numri më i konsiderueshëm i pushuesve për muajin Korrik. Mbi 10 mijë pushues nga ky shtet fqinj kanë ardhur për të kaluar pushimet vetëm gjatë këtij muaji, në brigjet shqiptare. Qytete si Durrësi, Vlora dhe Saranda, kanë qenë destinacionet e pushuesve maqedonas, të cilët duhet thënë se janë më të organizuar përsa i përket aspektit të akomodimit. Agjenci të ndryshme turistike shqiptare që kanë zyrat e tyre edhe në disa prej qyteteve kryesore të Maqedonisë, pa përjashtuar kryeqytetin, Shkupin, janë bërë ndërmjetëset e prenotimeve të pushuesve maqedonas, të cilët në pjesën më të madhe kanë zgjedhur banesa me qira por edhe hotele jo shumë të kushtueshëm, për të kaluar disa ditë pushime në bregderin shqiptar. Sektori i turizmit edhe gjatë periudhës janar-qeshor 2008 ka njohur një rritje mbi ritmet 20 për qind. Prioritet i qeverisë kanë qenë për këtë vit investimet për të përmirësuar sidomos rrugët dhe gjithçka lidhet me infrastrukturën e pushimeve në zonat bregdetare. Numri i turistëve është 23 për qind më i lartë krahasuar me një vit më parë, dhe rreth 95 për qind më i lartë se në vitin 2005.
Pse i tërheq Shqipëria
Sipas përfaqësuesve të disa prej agjencive turistike në kryeqytet, numri i turistëve nga Maqedonia pritet që të shtohet sidomos gjatë muajit gusht. Të pyetur nga gazeta “Albania” në lidhje me këtë fenomen, ata kanë shpieguar edhe disa prej shkaqeve më kryesore që sipas tyre, kanë bërë që këtë vit pushuesit maqedonas të dynden në bregdetin tonë. Kështu, mardhëniet e acaruara midis Shkupit dhe Athinës, kanë detyruar shtetasit maqedonas që këtë vit të braktisin Selanikun dhe plazhet e tjera të Greqisë. Po kështu edhe çmimet e shtrenjta në qytetet bregdetare të Malit të Zi, si dhe taksat për të huajt dhe automjetet e tyre që ka vendosur këtë vit ky shtet, janë një tjetër arsye që ka detyruar pushuesit maqedonas të mendohen dy herë. Gjithashtu, çmimet më të lira, mungesa e taksave ekstra, mungesa e vizës në kufi, dhe infrastruktura drejt përmirësimit në Shqipëri, janë disa prej arsyeve që sëbashku me kushtet atraktive të bregdetit tonë, tërhoqën më tepër këtë vit pushuesit maqedonas.
Të ardhurat nga turistët
Të ardhurat nga turizmi kanë i kaluar 1 miliardë Euro, duke u kthyer në burimin e parë të furnizimit të vendit me valutë. Ky shërbim mbetet kryesori me të cilin mund të konkurrojmë në rajon, duke futur si element të kësaj gare edhe shqiptarët etnikë që jetojnë në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi. Potencialet mbeten të mëdha, duke patuar parasysh edhe shifrat e reja që vijnë nga doganat, ku gjatë 2 muajve të fundit është konstatuar një dyfishim i turistëve nga Maqedonia. Gjatë periudhës janar-qershor, vendin e vizituan rreth 900 mijë persona. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, rezultojnë se nga këta vizitorë, 81 për qind janë turistë pushues, 10 për qind vizitorë të bizneseve profesionale, 4 për qind vizitorë ditorë dhe 4 për qind, të ndryshëm. Edhe turizmi kulturor ka pasur zhvillim, pasi në këtë periudhë ka pasur vizitueshmëri të lartë Butrinti, Gjirokastra, Apolonia, Berati etj., duke bërë që Shqipëria të njihet dhe të vlerësohet në botë. Efektet sezonale të turizmit kanë filluar të ndjehen edhe në tregun e këmbimit valutor, ku monedha vendase Leku ka filluar të forcohet prej dyndjes së euros në tregje. Agjencitë e këmbimit valutor kanë lajmëruar se, shkak për këtë rënie të euros në raport me lekun është bërë rritja e ofertës për euro këto ditë, për shkak se kanë filluar turistët e parë nga Kosova, por edhe nga Evropa.
23 Korrik 2008