Topalli pezullon Ballën 15 ditë nga Kuvendi
Pavarësisht se u fye dhe u kërcënua publikisht nga kryeministri Berisha, deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla është ndëshkuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit ka mbledhur dje byronë parlamentare të Kuvendit, dhe në mbledhjen e djeshme është vendosur që deputeti Balla të pezullohet me 15 ditë nga Parlamenti. Vendimi i byrosë së kuvendit e ka cilësuar të padenjë sjelljen e deputetit Balla.
“Deputeti Taulant Balla, gjatë Seancës Plenare të datës 21.7.2008 është sjellë në mënyrë të padenjë dhe të përsëritur duke përdorur gjuhë ofenduese e provokacione te ulta duke shkaktuar rrëmujë në sallën e Seancës Plenare, e per rrjedhojë duke krijuar probleme serioze në mbarëvajtjen e punës së Parlamentit. Kryetarja e Kuvendit i ka tërhequr vëmëndjen në mënyrë të vazhdueshme deputetit Balla, por ai ka vazhduar të kryejë shkeljet e mësipërme në kundërshtim të hapur me nenet 62 dhe 65 të Rregullores së Kuvendit. Në këto kushte Kryetarja e Kuvendit, në mbështetje të nenit 65, pika 2 e Rregullores së Kuvendit i ka kërkuar Byrosë së Kuvendit përjashtimin e deputetit Taulant Balla nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve dhe të seancave plenare të Kuvendit, për një periudhë 15 ditore”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.
Precedenti
Nuk është hera e parë që kryeministri Berisha fyen dhe kërcënon deputetin e Partisë Socialiste Taulant Balla. Disa muaj më parë, ndërsa Balla akuzoi kryeministrin dhe djalin e tij se janë zotërues të kazinove në qytet, Berisha reagoi ashpër, duke i thënë deputetit socialist se do t’ja bënte fytyrën si këpucë. Kjo solli reagimin e ashpër të partive të opozitës, të cilët dënuan fyerjet dhe sulmet e kryeministrit Sali Berisha.
23 Korrik 2008