Komisioni parlamentar i Ekonomisë miraton nen për nen buxhetin shtesë
Pa praninë e opozitës, Komisioni parlmentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje nen për nen buxhetin shtesë të këtij viti. Opozita e shprehu një ditë më parë votën e saj kundër në Kuvend, gjatë miratimit në parim të buxhetit suplementar, ndërsa dje në komision nuk mori pjesë në mbledhje duke e bojkotuar atë. Deputetët e mazhorancës janë shprehur pro të gjitha neneve të draftit, duke bërë vetëm një ndryshim të vogël, e duke përfituar edhe nga mungesa e deputetëve të opozitës që nuk u pajtuan me këtë projekt-buxhet. Ata u kanë kërkuar përfaqësuesve të Ministrisë së Financave që të plotësojnë kërkesën e Kuvendit për një fond shtesë për shpenzimet operative, propozim ky që u pranua nga ana e Financave. Zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu, tha se, “në buxhetin suplementar prej 270 milionë dollarë, nuk përfshihen të ardhurat e ARMO-s dhe privatizimeve të tjera, por vetëm të ardhurat e krijuara si rezultat i disiplinës financiare”. Projektligji kaloi në komision brenda pak minutash dhe ditën e enjte drafti do të miratohet nen për nen edhe në seancë plenare, për të hyrë më pas në fuqi. Buxheti shtesë kap vlerën e 20 miliardë lekëve, nga të cilat 10 miliardë do t’i kalojnë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për investime në rrugë, 2 miliardë lekë do të shkojnë për pushtetin vendor dhe pjesa tjetër për uljen e deficitit buxhetor. Në këtë draft llogariten edhe rreth 1 miliardë lekë rialokime të fondeve që nuk janë përdorur nga ministria e shëndetësisë dhe sistemi gjyqësor dhe që do të kalojnë për investime në infrastrukturën rrugore. Qeveria ka parashikuar në buxhetin shtesë një rritje të nivelit të shpenzimeve operative të institucioneve, si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të karburanteve. Projektligji mbi këtë buxhet suplementar paraqet të ardhurat dhe shpenzimet si për buxhetin qendror dhe atë lokal, ashtu dhe të ardhurat nga zërat e tjerë.
23 Korrik 2008