E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxhuku: Amnistia të fillojë në verë me emigrantët

Konfindustria kërkon që amnistia të nisë nga emigrantët shqiptarë jashtë vendit, me qëllim nxitjen dhe hyrjen e sa më shumë të ardhurave në ekonominë shqiptare

Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku ka deklaruar se amnistia fiskale duhet të fillojë sa më shpejtë dhe të nisë me emigrantët. “Koha e humbur prej pothuaj 2 vitesh, me çështjen e shumëpërfolur të faljes fiskale, qartësisht ul ndjeshëm mundësitë e të hyrave financiare në ekonominë shqiptare, nga të ardhurat e emigrantëve tanë, si pasojë e veprimeve të shpejta të vendeve konkurrente tona në rajon dhe më gjerë. Shqetësimi i Konfindustrisë vjen ndërkohë, që vendet e tjera konkurrente të rajonit kanë vepruar me shpejtësi deri në veprime të dëshpëruara për tërheqjen e flukseve financiare ndërkombëtare drejt ekonomive të tyre”, është shprehur Buxhuku. Sipas tij, kthimi i emigrantëve me rastin e pushimeve të verës 2011 duhet të shoqërohet me një strategji të qartë ligjore dhe teknike, të përgatitur me kohë nga ana e ekzekutivit, me qëllim që të bëhej e mundur ndërgjegjësimi, sqarimi dhe zbatimi në praktike i faljes fiskale për qytetarët. Gjithashtu, ai gjykon se do të ishte me ndikim të ndjeshëm pozitiv kah ekonomisë kombëtare, hyrja e flukseve financiare nga jashtë, në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë ende të prekshme. Deklaratat e Buxhukut vijnë në vazhdën e çështjes së hapur dhe të papërfunduar ende të Amnistisë Fiskale. Kryeministri Berisha, pak ditë më parë deklaroi se shumë shpejt do të bëhet ligji për të falur bizneset dhe individët, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka nisur të përgatisë draft-projektin për çështjen në fjalë. Ky institucion organizoi dy ditë më parë një tryezë të përbashkët me krerë institucionesh, shoqata biznesi, akademikë, etj. Komuniteti i biznesit kërkoi amnisti të plotë, duke sugjeruar taksa jo më shumë se 3 % për individët dhe jo më shumë se 10% për bizneset. Ndërsa ministri Bode pranoi kërkesën e shoqatës së ndërtuesve për faljen e pallateve pa hipotekë, duke bërë në këtë mënyrë që mijëra familje të bëhen automatikisht pronare të ligjshme të banesave të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›