E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet në Shqipëri çalojnë me pronat dhe zbatimin e ligjit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 21-03-2011 11:21

Annette Kasten, përfaqësuese e investitorëve gjermanë në Shqipëri thotë se, ka një hendek të thellë mes ligjeve të mira që ka Shqipëria dhe zbatimit të tyre. Problemet me pronësinë janë të rënda sipas saj, ndonëse Shqipëria ka kadastër

“Kuadri ligjor dhe adaptimi i një sërë ligjesh të standardeve europiane në Shqipëri kanë favorizuar klimën për tërheqjen e investitorëve të huaj, por zbatimi i tyre dhe çështja e pronave mbeten një pengesë për investitorët e huaj në Shqipëri”, është shprehur në një interviste për Dojce Welle Annette Kasten, sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Gjermane të Tregtisë dhe industrisë, DIHA. Në lidhje me situatën e investimeve në Shqipëri ajo është shprehur se, pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë të hapur për investime të huaja, fitimet mund të riatdhesohen, ka një taksë të sheshtë prej 10% për fitimet dhe nuk ka asnjë kufizim për të blerë prona private. Por sipas saj, ka një hendek të thellë mes ligjeve të mira dhe zbatimit të tyre. "Ndonëse Shqipëria ka një kadastër, ka shumë raste të mosmarrëveshjeve për pronësinë e tokës, që është një sinjal shumë i keq për investitorët e huaj”, është shprehur Kasten. Ajo është në dijeni se, Qeveria e Tiranës ka miratuar së fundi një ligj, që ajo do të marrë rolin e avokatit të biznesit të huaj për mosmarrëveshje, lidhur me pronësinë e tokës, por vetëm nëse është fjala për investime të mëdha deri në 10 milionë euro. “Apo rasti kur edhe pse ka një sistem elektronik të pagesës së të punësuarve, duhet shkuar në zyrat e punës për të konfirmuar të punësuarit. Dhe kur duhet të mbushësh me shkrim dore, në tri kopje çdo faturë individuale për TVSh, duket se jemi ende në shek. 19-të!!" - thotë Annette Kasten, sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Gjermane të Tregtisë dhe industrisë, DIHA. Mangësitë që rrezikojnë ardhjen e investitorëve të huaj nuk mbarojnë me kaq. Ka një nevojë urgjente për përmirësimin e kuadrit ligjor për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi ato krijojnë mundësi për prodhim dhe punësim në masë të njerëzve dhe lidhen me zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, dy sektorë vitalë për tërheqjen e investitorëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo thekson gjithashtu se, investimet gjermane në logjistikë dhe infrastrukturë janë pa dyshim në krye të interesit të deritanishëm të kompanive gjermane në Shqipëri. Investimi më i rëndësishëm vazhdon të mbetet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, i drejtuar nga një konsorcium ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë kompanitë gjermane HochTief dhe DEG, pjesë e grupit bankar gjerman KfW. "Në portin e Durrësit ka një konsorcium gjermano- shqiptar ASC, Albanian- Stevedoring Company, që merret me ngarkim – shkarkimin e anijeve me një teknologji moderne. Banka gjermane KfW vazhdon të tregojë interes për projekte të mëdha në infrastrukturë, kryesisht në furnizimin me ujë të popullsisë dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Energjia mbetet një sektor, ku kjo bankë ka financuar projekte të mëdha rajonale, si linjat e interkoneksionit Shqipëri – Kosovë, Shqipëri - Mali i Zi dhe së fundi Shqipëri- Maqedoni. Përveç grupit bankar gjerman KfW, në Shqipëri është e pranishme edhe Banka gjermane ProCredit, që ofron kredi sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, SME. Këtë vit ProCredit është fokusuar në projekte për prodhimin e energjisë së rinovueshme”, - thotë Annette Kasten. Një sektor tjetër, ai i shitjes me pakicë të mallrave, ka tërhequr investitorët gjermanë në Shqipëri. Grupi Rossmann& Lala po aplikon në tregun shqiptar filozofinë gjermane të suksesshme në këtë sektor. Në periferi të Tiranës është ngritur Praktiker, ku klientët shqiptarë mund të gjejnë gjithçka, njëlloj si në Gjermani, në tregun e njohur “Bëje vetë”. Në Shqipëri ka shumë zyra arkitektësh dhe inxhinierësh, që drejtohen nga ekspertë gjermanë. Jo pa interes është edhe sektori i prodhimit: kompania gjermane Rofix prodhon materiale ndërtimi dhe kompania e mirënjohur farmaceutike Profarma është blerë nga një konsorcium gjerman, që së shpejti do të fillojë nga prodhimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›