E Diel, 1 Nëntor 2026

Këmbimi, dollari bie në 99 lekë, euro mbi 140

Dollari amerikan ka shënuar rënie të vlerave në tregun e lirë të këmbimit në vend. Në fundjavë, një dollar ka kushtuar 99 lekë, nga më shumë se 101 lekë që ishte në fillim të javës. Agjentët e këmbimit valutor e shpjegojnë këtë fakt me ndryshimin që ka ndodhur në tregun ndërkombëtar të këmbimit, ku valuta amerikane ka humbur pikë. Prej më shumë se një viti, vlera mesatare e këmbimit të dollarit ka qenë më shumë se, 100 lekë, duke ndikuar kështu edhe rritjen e çmimit të produkteve që importohen jashtë në këtë valutë. Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar në raportet e saj mbiçmimin e dollarit, si një ndër shkaqet kryesore që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe të drithërave për shkak se, këto artikuj në bursat ndërkombëtare shiten në valutën amerikane. Kështu rënia e dollarit amerikan, në këmbim me monedhën vendase, do të ishte një sinjal pozitiv për rënien e çmimeve të naftës në tregun tonë, pavarësisht se, tregu vendas në këtë drejtim nuk është elastik. Humbjet dhe përfitimet e ekonomisë shqiptare nga rënia e dollarit janë gjithnjë e më të vogla, që prej futjes në qarkullim të euros. Shqipëria, mbi 75 për qind të marrëdhënieve tregtare, i ka me vendet e Bashkimit Europian dhe një vlerësim ose zhvlerësim i euros do të sillte pasoja, si në rritjen e çmimeve, defiçitin tregtar dhe në tregues të tjerë. Ndërkohë që pothuajse të gjitha transaksionet, që dikur bëheshin me dollarin amerikan, tani bëhen me euro dhe në këtë këndvështrim vlerësimi apo zhvlerësimi i dollarit nuk sjell risk të madh. Gjithashtu, gjithnjë e më shumë kursimet e shqiptarëve në banka janë orientuar drejt euros. Ndërkohë që kjo e fundit i ka rritur dukshëm vlerat në tregun e këmbimit. Që prej më shumë se një muaji, vlera e euros ka arritur nivelin 140 lekësh, duke u forcuar dukshëm ndaj dollarit dhe duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e çmimeve në mallrat e importit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›