Buxhuku: Ekonomia në përmirësim, por tregu i karburanteve duhet rregulluar Nga TemaFlet Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrias Z. Buxhuku, nëse do të duhej të përmblidhnim me pak fjalë politikën qeverisëse në fushën ekonom
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Buxhuku: Ekonomia në përmirësim, por tregu i karburanteve duhet rregulluar Nga TemaFlet Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrias
Z. Buxhuku, nëse do të duhej të përmblidhnim me pak fjalë politikën qeverisëse në fushën ekonomike të 4 viteve të shkuara dhe njëkohësisht programin e paraqitur para disa ditësh për periudhën 2009-2013, çfarë do të vlerësonit si arritje më të shënuar?
Nuk mund të “mohohet” dhe duhet pranuar nga të gjithë si vlerë e rëndësishme, se më në fund Shqipëria ka një Strategji Afatmesme Zhvillimi Ekonomik për më shumë në zbatim e sipër, në ndryshim nga dhjetëra e dhjetëra të ashtuquajtura strategji të mbetura vetëm në letër. Strategji që bën të mundur mobilizimin dhe investimin e burimeve financiare të vendit dhe të huaja, private dhe publike, kryesisht në 2 fusha kryesore: energji dhe infrastrukturë. Mendoj se është një lëvizje largpamëse dhe strategjike, që krijon kushtet e shfrytëzimit me efektivitet dhe pavarësisht luhatjeve të ekonomisë botërore, të pasurisë me të madhe të Shqipërisë, “pozicionit gjeografik”. Mendoj se vënia përsëri e theksit në 2 fushat e mësipërme në programin e ri qeverisës 2009-2013 është e drejtë dhe duhet mbështetur. Shtoj këtu edhe përmirësimin e dukshëm të arritjeve fiskale në të dy anët: të hyrat dhe shpenzimet publike.
Cilat janë përfitimet kryesore për Shqipërinë dhe shqiptarët nga zbatimi i strategjisë së sipërpërmendur?
Për mendimin tim vlera e parë e madhe e zbatimit të strategjisë së paraqitur më sipër është se mundësohet krijimi i Tregut të Hapur Shqiptar 7-8 milionësh me vlera të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe mirëqenien afatgjatë të shqiptarëve. Ndërtimi i Rrugës së Kosovës, ndërtimi i porteve të reja si Petrolifera në Vlorë dhe Pontili në Porto Romano, së bashku me projektet e porteve të reja dhe modernizimin e porteve ekzistues përgjatë Detit Adriatik, ndërtimi i veprave të mëdha prodhuese energjitike të të gjitha llojeve në vend si HC Kalivaçit, TEC Vlorës, HC Ashtës, HC-et e Devollit, Parqet energjitike me erë/ biomasë të Karaburunit, Shëngjinit, etj., projektet e ndërtimit të rrjeteve Energjitike të Interkoneksionit me Kosovën, Malin e Zi, Greqinë dhe Italinë, po krijojnë kushtet kur për herë të parë pas pothuaj 100 vjetësh copëtimi historik të tregut kombëtar, mbyllje totalitare dhe ngrënie të vetvetes me pasoja dramatike varfërie, paqëndrueshmërie shoqërore dhe politike, Shqipëria është në pozita aktive zgjerimi/ekspansioni ekonomik fillimisht drejt rikrijimit të tregut natyral të shqiptarëve, si hap vendimtar drejt bashkimit me dinjitet, si komb i pasur dhe partner i rëndësishëm ekonomik me Bashkimin Evropian.
Nga zbatimi i strategjisë së mësipërme mundësohet shndërrimi i Shqipërisë në një fuqi energjitike të rëndësishme rajonale me vlerë të dyfishtë: përfitimin e të ardhurave të qëndrueshme nga eksporti i energjisë elektrike si mall gjithmonë i shitshëm dhe i kërkuar nga tregjet ndërkombëtare dhe njëkohësisht krijimin e mundësive për zhvillim industrial shumëdegësh të ekonomisë kombëtare, aq shumë të nevojshëm për mirëqenien e shqiptarëve.
Nuk duhet harruar se investimet dhe financimet në infrastrukturën rrugore dhe portuale me vlerë rajonale, dhe sidomos investimet në energjitikë, nuk preken nga krizat globale financiare dhe ekonomike. Përkundrazi, fillimi sa më i shpejtë i tyre krijon kushte mjaft të mira dhe është mjet efikas për lehtësimin e pasojave të krizës globale, sidomos në ekonomi, relativisht të vogla, sikurse është tregu shqiptar. Shembulli më i qartë janë projektet e mëdha tërësisht të financuara me vlerë mbi 5 miliardë euro të kompanive më të mëdha energjitike të Evropës në Shqipëri, që u paraqitën në Panairin e Konfindustrias të “Teknologjisë & Cilësisë 2009”, të zhvilluar para disa muajsh në Tiranë, më i madhi i llojit i zhvilluar në Evropën Juglindore për vitin 2009.
Gjithashtu, është e vlefshme të përmendet së zbatimi me sukses i strategjisë së mësipërme jep mundësinë e rritjes së pashmangshme të peshës strategjike dhe institucionale të Shqipërisë, si edhe të dinjitetit të shqiptarëve kundrejt vendeve dhe kombeve të tjera. Tërheqja e kapitaleve të huaja në vlera të mëdha, investimi i tyre në vepra energjitike e infrastrukturore të nevojshme në terma afatgjatë për investitorët dhe vendet e tyre, krijimi i mundësisë për shfrytëzimin e pozicionit strategjik të vendit si rrugë lidhëse ndërmjet tregjeve të mëdha botërore, do të shtojë ndjeshëm rëndësinë e fjalës së Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare, në marrëdhëniet me vendet e tjera, sikundër edhe do të lehtësojë dhe shkurtojë shumë në kohë procesin e integrimit me dinjitet në BE.
Nëse do të kërkonim nga ju, me cilësinë edhe të drejtuesit të Konfindustrias, si institucioni që përfaqëson dhe mbron interesat e prodhuesve vendorë, se çfarë vendimmarrja politike deri më tash nuk ka plotësuar dhe duhet të plotësojë në politikat e zhvillimit ekonomik të vendit...
Për hir të së vërtetës Shqipëria me gjithë arritjet e deritashme përsëri mbetet me probleme të shumta në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit. Vendimmarrja politike shumë gjëra, që është krejt e pafalshme të mos ndreqen, nuk i ka prekur me dashje ose pa dashje. Po përmend disa prej hapësirave, që dëmtojnë seriozisht zhvillimin ekonomik të vendit dhe që shkaktojnë hemorragji mjaft të lartë dhe të papranueshme të daljes së qindra e qindra milionë eurove të shqiptarëve në mënyrë të paarsyeshme jashtë vendit.
Së pari, tregje të tilla strategjike si karburantet, telekomunikacioni, por edhe energjia, duhet të përmirësojnë sa më shpejt funksionimin e tyre, sepse po bëhen shkak për uljen e fortë të konkurrencës së prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare krahasimisht vendeve të tjera. Tregjet e varfëruara ndërkombëtare nga kriza botërore po e bëjnë edhe më të prekshme çështjen e mësipërme, që ka qenë prej kohësh plagë brenda nesh. Mendoj se pasojat më të prekshme të Shqipërisë nga kriza ndërkombëtare në periudhë afatmesme do të shprehen në uljen e konkurrencës së prodhimeve tona dhe me pasoja të prekshme për industritë vendore.
Së dyti, sistemi bankar duke kaluar nga skaji i rritjes së shpejtë të kreditimit në shumë raste jocilësor, në skajin tjetër të kufizimit pothuajse të plotë të kreditimit edhe për industri dhe biznese cilësore dhe të qëndrueshme, tregon se ka probleme të prekshme menaxhimi brenda vetes. Ka ardhur koha për të riparë rolin e peshën e shtetit në politikat e kreditimit dhe në sektorin bankar të nivelit të dytë.
Së treti, vonesat në përgatitjen e përafrimit të politikave financiare, fiskale, të tregut të punës etj., ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës si të domosdoshme për krijimin e tregut të hapur shqiptar 7 milionësh, ul ndjeshëm edhe efektivitetin dhe rikthimin e investimit të madh financiar të shpenzuar për ndërtimin e rrugës së Kosovës, por edhe humbet kohë të çmuar për të përfituar të gjithë shqiptarët bashkë nga mundësitë e shkëlqyera të sinergjisë së përbashkët.
Dhe në fund do të dëshiroja të theksoja se, nëse vendimmarrja shqiptare pa dallim ngjyrash do të ketë vullnetin të kalojë nga politika e “mohimit” të gjithçkaje në “plotësimin” e asaj çka nuk është dhe duhet bërë, me bindje mund të them se kemi të gjithë mundësitë që jo vetëm të përfshihemi me dinjitet në BE, por edhe “pasaporta shqiptare në pak vite do të jetë mjaft e çmuar në botë”.