Lundrues në detin pa brigjeNga Kim MehmetiNe shqiptarët kemi shumë lundruese që bredhin nëpër detin e ambicieve tona kolektive, por vetëm tri janë ato që përcaktojnë se në cilin breg do arrijmë. E para dhe më e vjetra është anija e mëmëdheut Shqipëri
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Lundrues në detin pa brigjeNga Kim MehmetiNe shqiptarët kemi shumë lundruese që bredhin nëpër detin e ambicieve tona kolektive, por vetëm tri janë ato që përcaktojnë se në cilin breg do arrijmë. E para dhe më e vjetra është anija e mëmëdheut Shqipëri, për të cilën shpesh ke përshtypjen se njëri e mirëmban e tre të tjerë e dëmtojnë, që të ketë nga t’i hyjë uji, edhe atë vetëm pse nuk janë kapitenë të saj. Pra, vetëm pse nuk e kujtojnë se çdo anije ka vetëm një drejtues. E dyta është Kosova, e cila i ngjan një akullthyeseje që duhet të hapë rrugë për vetveten, por njëkohësisht duke u kujdesur të mos e dëmtojnë nëndetëset e shumta që qarkullojnë nën sipërfaqen nga ajo lundron. Lundruesja e tretë, e nga e cila askush nuk pret diçka të veçantë, por që mund të ndikojë në shpejtësinë e lundrimit të dy të parave, është barka e vogël e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila nëpër detin e ambicieve tona kolektive bredh si me qenë në duart e kapitenit të dehur. Të tria këto lundruese, që shkojnë në drejtime të ndryshme, por duke i gënjyer udhëtarët se janë nisur drejt cakut të njëjtë, nuk kanë asgjë të përbashkët e madje edhe komunikimi mes tyre është i penguar nga zhurmues të ndryshëm partiakë. Ajo që ato i bën të ngjashme, është përshtypja se lundrojnë si të marra peng nga “kusarët”, andaj edhe rrinë sa më larg brigjeve ku i pret populli. Kështu që ky popull, edhe pas dy dekadash demokracie, ende nuk e di se vallë ato duan ta çajnë rrugën drejt një caku të njëjtë apo çdo gjë e kanë lënë në duart e baticave dhe zbaticave të detit.
Kur bëhet fjalë për shqiptarët e Maqedonisë, tanimë nuk ka dyshim se që nga viti 2006, lundrën e tyre e drejton Gruevski, i cili ia doli t’i shpartallojë partitë e këtushme shqiptare. Kështu që përfundimisht, duhet pranuar se shqiptarët e këtushëm me asgjë nuk marrin pjesë në vendimmarrjet shtetërore, se ata kanë disa ministra të punësuar te Gruevski dhe disa nëpunës shtetërorë që duhet t’i realizojnë “njëqind hapat” e VMRO-DPMNE, e që Maqedoninë e çojnë drejt një shteti me dy shoqëri të ndara në vija etnike: atë ku ndërtohen ura, shkolla, banesa sociale, përmendore, kisha... të etnitetit maqedonas dhe në shoqërinë shqiptare, ku nuk ndërtohet thuajse asgjë dhe e cila nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë kriminalizohet. Me çka shqiptarët e këtushëm e prunë punën deri aty, sa ndaj tyre të ndjenë “keqardhje” edhe maqedonasit etnikë të vetëdijshëm se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, e të cilët hapur shtrojnë pyetjen: Ku janë partitë shqiptare që t’i kundërvihen Gruevskit dhe vallë ato janë të vetëdijshme se çka është duke u ndodhur? Pyetjes së tyre ata ia shtojnë edhe dilemën: Mos vallë Maqedonia ende ndërtohet sipas parimit se vetëm shqiptarët e komprometuar janë të dobishëm për këtë shtet dhe se kjo u përshtatet edhe partive shqiptare? E që në mënyrë indirekte duan të thonë se partitë e këtushme shqiptare janë në duart e elitave të komprometuara dhe të kontrolluara nga qarqe policore. Kuptohet, maqedonasit që shtrojnë këtë pyetje, nuk janë gjithaq të brengosur për fatin e shqiptarëve, por e dinë se politika e Gruevskit Maqedoninë e shndërron në kufomë, së cilës ka filluar t’i vijë era e kalbjes.
Konstatimet e publicistëve dhe opozitarëve të këtushëm maqedonas se BDI është duke i vrarë fëmijët e saj - Marrëveshjen e Ohrit dhe vlerat e UÇK - nga partia e Ali Ahmetit nuk marrin thuajse asnjë përgjigje. Dhe heshtja e tyre shpjegon çdo gjë. Mbase ata ngushëllohen me bindjen se këto kritika vijnë nga qarqet (pro)maqedonase (duke harruar se vetë janë ne koalicion me VMRO-DPMNE që frymon antishqiptarçe), e që kanë për qëllim ta çojnë BDI ta ndihmojë LSDM opozitare në betejën e saj me VMRO-DPMNE. Me çka e mbivlerësojnë veten duke mos parë se me ardhjen në pushtet, BDI vetëm e çoi më tej atë që e kishte filluar PDSH gjatë ardhjes së saj në qeveri në vitin 2006, e kur Gruevski tregoi qartë se shqiptarët i konsideron vetëm si vasalë të dëgjueshëm, me të cilët do bëjë tregti nga më primitivet: do u japë pushtetarëve shqiptarë aq privilegje, sa ata të mos kenë sy e fytyrë të ankohen dhe të mos kenë rrugë tjetër përpos popullin ta heshtin me premtime të kota.
Sikur të ishte ndryshe, sikur kritikat të ishin të paargumentuara, përfaqësuesit e BDI nuk do e kishin vështirë ato t’i demantonin. Do mjaftonte, për shembull, të tregonin sa godina shkollore janë ndërtuar dhe pse pushteti qendror i ka lënë pas dore vendbanimet e banuara nga shqiptarët, me çka i çon drejt dështimit edhe disa udhëheqës të aftë komunalë shqiptarë. Pra, do mjaftonte të shpjegonin pse 93 për qind e kapitalit shtetëror është në duart e ministrave të VMRO-DPMNE, e vetëm 7 për qind në drejtim të ministrave shqiptarë. Apo, do u shpjegonin votuesve të tyre, pse ka fonde për t’i stolisur urat mbi Vardar me përmendoret e heronjve maqedonas, e nuk paska mjete për të ndërtuar shkolla dhe ura nëpër vendbanimet shqiptare, pse nuk ka mjete për mirëmbajtjen e Muzeut të Alfabetit në Manastir, e paska mjete për të rinovuar rrethojën e urës Goce Dellçev, ku do qëndrojnë “Luanët” e Gruevskit. Apo, pse ka bursa shtetërore për të studiuar jashtë shtetit maqedonasit etnikë e nuk ka për shqiptarët, pse shkollat e mesme në gjuhën maqedonase në Shkup nuk janë më larg se 200 metra nga njëra-tjetra (për ata që nuk besojnë, ja një shembull: në lagjen Karposh të Shkupit, në një hark hapësinor jo më të madh se 200 metra ndodhen tri shkolla të mesme në gjuhën maqedonase - “Nikolla Karev”, “Zdravko Cvetkovski” dhe “Dame Gruev”), e gjimnazistët shqiptarë të Shkupi duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të arritur te shkolla e tyre. Për të arritur te gjimnazi, drejtuesit e të cilit thonë atë që nuk do e thoshin as pastruesit e tij se, shkolla e tyre nuk ka nevojë për godinën e vjetër në lagjen “Nerez” të Shkupit.
Ka shumë “pse” që e valëzojnë detin e ambicieve kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë. Këto “pse” tani për tani mbeten pa “sepse”-në e duhur dhe i gëlltit heshtja e politikanëve dhe shurdhëria e popullit, shurdhëria e shkaktuar nga premtimet e kota. Heshtje dhe shurdhëri që të dy palët i bën të mos shohin se janë katandisur rrugës që të çon deri në majën nga ku shqiptarët e këtushëm mbase do e shohin se nuk kanë më për kë të votojnë. Me çka shqiptarët e këtushëm do e kuptojnë se kanë ardhur deri aty, sa pjekurinë e tyre politike do mund ta dëshmojnë vetëm duke i lënë të zbrazëta kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Gjë që nuk do ishte zgjidhje e keqe e që do e linte parlamentin republikan pa përfaqësuesit shqiptarë, me çka Gruevski më në fund do e kuptonte se ka mbetur pa Maqedoni. Mbase kjo është mundësia e fundit që u ka mbetur shqiptarëve të këtushëm që të shpëtojnë nderin e tyre politik dhe të pengojnë fundosjen e lundrës së tyre në detin pa brigje. Pra, të dëshmojnë se e kanë kuptuar sa të kota janë akuzat drejtuar kapitenëve të paaftë dhe sa e kotë është të pyesësh kush e drejton anijen, nëse ndërkohë nuk e pyet veten sa gozhda ke vënë për mirëmbajtjen e saj. Vetëm ata që e shtrojnë këtë pyetje, e dinë si përfundon lundrimi i anijes së lënë që ta drejtojnë ata që nuk dinë t’i lexojnë hartat politike.