Opozita, projekti sekret i bashkimit Nga Mapo“Një jetë e re lind gërmadhash”, - thotë Migjeni. Ndoshta shprehja është pak e fortë për të majtën e sotme, për atë pjesë të së majtës që nuk ndan poltronat e qeverisë me Berishën natyrisht. E megjithatë P
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Opozita, projekti sekret i bashkimit Nga Mapo“Një jetë e re lind gërmadhash”, - thotë Migjeni. Ndoshta shprehja është pak e fortë për të majtën e sotme, për atë pjesë të së majtës që nuk ndan poltronat e qeverisë me Berishën natyrisht. E megjithatë PS e sotme dhe aleatët e saj të vjetër e të rinj, së bashku me disa “bashkudhëtarë” të papritur të ardhur nga LSI, duket se po përpiqen të sistemojnë disa gjëra të mbetura rrëmujë nga zgjedhjet e fundit.
Së pari duhet një kryetar i ri i PS. Jo një kryetar në detyrë, por një kryetar me detyra dhe me ide të qarta në kokë. Gjë e vështirë, nëse sheh debatin e brendshëm dhe klimën përgjithësisht skeptike ku po endet pëlhura e mandatit të dytë të Edi Ramës. E megjithatë kjo është një rrugë ku duhet shkelur, para se të mendohet për pjesën tjetër të rrugës, atë më të gjatën, përballë Berishës dhe delfinit të tij të ri, Ilir Metës.
Pas zgjidhjes së rebusit (në fakt ai është gjithçka, përveçse i tillë) të kryetarit të ri të PS, sfida tjetër e radhës do të konsistojë në formësimin e një projekti që do të bashkojë aleatët opozitarë në një formacion unitar dhe gjithëpërfshirës. Shumë detaje dhe ide janë hedhur deri tani, por shumë të tjera duhen përvijuar më mirë, para se kjo strehë e re politike të marrë formën përfundimtare. Gjithsesi, duket se mendimi është tashmë i pjekur, që opozitës i duhet një fillim i ri, i ndryshëm nga gjithçka që ka ndodhur deri më tash. Një thyerje më shumë sesa një vazhdimësi dhe një inerci që sjell veçse rënie dhe pesimizëm.
Burime të besueshme brenda opozitës thonë se dy janë variantet kryesore, mes të cilave do të zgjidhet për të ribashkuar partitë e majta. Varianti i parë parasheh konvergimin e partive të vogla në strukturën drejtuese të PS, duke parë se asnjëra prej tyre s’mundi të kapë dot derën e Kuvendit. Një proces i ngjashëm me atë të aleancistëve apo partisë së Pollos në PD. Me fjalë të tjera, krerët e partive aleate do të ftohen të jenë pjesë e Kryesisë dhe strukturave të tjera drejtuese të Partisë Socialiste. Kryesia e sotme e PS përmban disa poste praktikisht të boshatisura, pas disa dorëheqjeve apo largimeve e gjysmë-largimeve që kanë ndodhur në prag të zgjedhjeve ose pak pas tyre. Nga ana tjetër, “viktima” të mundshme të këtij procesi rotacioni mund të ishin edhe disa nga kundërshtarët aktualë të Ramës, të cilët janë njëherësh anëtarë të Kryesisë, megjithëse kjo duket një nismë delikate. Do të kishim kësisoj një Kryesi të PS, ku do të ulej edhe Gjinushi, Milo apo Veliaj si anëtarë të saj me të drejta të plota.
Ky variant duket se ka pak gjasa që të shohë dritën e zbatimit. Ka pasur mjaft humore të lëvizshme nga aleatët ndaj këtij propozimi, pasi, përveç fatit të tyre personal, liderët e mësipërm duhet të mendojnë edhe për sistemimin e një pjese të bashkëpunëtorëve pas vetes, pa llogaritur edhe faktin që tingëllon psikologjikisht e vështirë që një parti të mbyllë qepenat e saj dhe të transferohet te selia e PS.
Varianti i dytë, ai më i mundshmi, parashikon që të krijohet një strukturë-çadër, e quajtur Federata e Majtë apo diçka e ngjashme. Ky organizëm do të përfshijë me të drejta të plota të gjitha partitë që aderojnë në projektin opozitar. Ai do të ketë një kryetar, një sekretar, ndoshta edhe një person që do të merret me marrëdhëniet me jashtë. Roli dhe funksioni i Federatës do të jetë ai i koordinimit të spektrit opozitar dhe i formësimit të një imazhi të ri dhe unitar të së majtës, në perspektivën e re të krijuar pas 28 qershorit dhe që përfshin sfida të afërta, siç janë zgjedhjet lokale. Federata do të mundohet gjithashtu të krijojë një vijë të qartë demarkacioni mes së majtës dhe së djathtës, e cila do të synonte izolimin e mëtejshëm të LSI, pas kalimit të saj në koalicionin e djathtë. Meqë jemi te LSI, një çështje delikate duket se është pozicionimi konkret i pesë drejtuesve të LSI, të ikur nga Meta. Pritet që ndonjë prej tyre të hyjë në Kryesinë e PS, ashtu siç përflitet jo pak se një post nënkryetari bashkie do t’i rezervohet po këtij grupimi. Duket pak e mundur që ish-anëtarët e Kryesisë së LSI t’i japin jetë një formacioni të ri politik.
Një tjetër e panjohur mjaft delikate do të jetë qëndrimi i PBDNJ, një parti që pas zgjedhjeve ka mbajtur qëndrime të distancuara nga PS, duke adresuar kritika të ashpra ndaj ish-aleatit, Edi Rama. Ndërkaq burimet brenda opozitës thanë për “Mapo” se një tjetër kapitull i rëndësishëm në aktivitetin e Federatës do të jetë marrëdhënia preferenciale me të djathtët alternativë të Berishës, më së pari Ngjela, Ndoka dhe të tjerë pranë tyre.
Fillimi i mbarë mund të jetë gjysma e punës, por nuk është e gjithë puna. Federata e majtë do të ketë një axhendë të ngjeshur dhe mjaft sfiduese para saj. Ajo do të ketë pak kohë në dispozicion dhe shumë çështje për të adresuar: përpunimi i një politike të re opozitare, motivimi i strukturave partiake psikologjikisht të goditura pas humbjes së 28 qershorit, avancimi i hapave konkretë për t’i dhënë opozitës vendin dhe prestigjin që i takon, menaxhimin e momenteve delikate si bojkoti i Kuvendit etj. Sipas ideatorëve të saj, Federata do të duhet të jetë streha e zgjidhjes së mërive dhe e ngrohjes së marrëdhënieve të ftohura mes Ramës dhe aleatëve të tij kryesorë pas 28 qershorit.
Ramës i duhet të kontrollojë shtatë herë para se të presë një herë. Marzhi i tij i gabimit është zvogëluar mjaft, paçka se ai mund të marrë një mandat të dytë. Federata paraqet ndoshta një shans për të nisur diçka të re, porse, nëse kjo ngrehinë do të vendoset mbi një mentalitet të vjetër, si ai që çoi në rezultatin e 28 qershorit, gjithçka rrezikon të jetë një fasadë dhe jo një risi. Dhe Edi Rama është akuzuar shumë shpesh në lidhje me fasadat. A do të jetë edhe Federata e Majtë një e tillë?!
Rama takohet me Ngjelën
Pesë vjet më parë ishin përballë njëri-tjetrit në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës, ndërsa sot janë takuar për të kërkuar rinumërimin e votave të zgjedhjeve të 28 qershorit, për të cilin të dy mendojnë se brenda kutive fshihet një e vërtetë tjetër nga ajo që i dha mundësinë Partisë Demokratike të qeverisë vendin edhe për katër vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për kryetarin në detyrë të socialistëve, Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Ligj e Drejtësi, Spartak Ngjela, të cilët kanë diskutuar për më shumë se 60 minuta në një nga baret në qendër të kryeqytetit vetëm pak metra larg godinës së Kryeministrisë.
Në fund të takimit kryetari në detyrë nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjes së medieve mbi qëllimin e takimit dhe është larguar në heshtje, ndërsa avokati Ngjela ka zgjedhur të mos shfaqet në media dhe është larguar nga një dalje tjetër. Gjithsesi, Ngjela, dikur bashkëpunëtor, tashmë një nga kundërshtarët më të ashpër publikë të kryeministrit Berisha, ka mbështetur në deklarimet e tij publike qëndrimin e kryetarit në detyrë të Partisë Socialiste për rihapjen e kutive të 28 qershorit, ndërsa ka shtuar më tej se, nëse rezultati brenda tyre mbetet i njëjtë, atëherë ata që e kundërshtojnë atë duhet të ndryshojnë qëndrim.
Ndërkohë për Ramën ky është rasti i dytë kur ai kërkon bashkëpunëtorë brenda së djathtës në mbrojtje të kauzës së tij për rinumërimin e votave, kur vetëm pak kohë më parë ai u takua në Partinë Socialiste me kryetarin demokristian, Ndoka.