E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buzëqesh Spanja, përmirësohet Torres

Rikuperimi

Kënaqësia është evidente në shtëpinë e Spanjës për lajmet e mira në lidhje me gjendjen e gjurit të Fernando Torres, i cili vazhdon të përmirësohet dhe të mos ndiejë më thuajse asnjë dhimbje. Ai që e shpreh kënaqësinë e tij është trajneri i iberikëve, Visente del Boske. “Fabregas dhe Iniesta janë pranë rikuperimit të plotë dhe shpresoj se do të aktivizoj për disa minuta edhe Fernando në miqësoren e së martës ndaj Polonisë. E dija që duke grumbulluar atë do të rrezikoja në një farë mënyre, sepse vinte nga një operacion. Por tani jam pak më shumë optimist”, ka përfunduar tekniku i spanjollëve. Torres është i vetmi lojtar i 23-shes së del Boskes, i cili nuk është aktivizuar në asnjë nga të dyja miqësoret e fituara ndaj Arabisë Saudite dhe Koresë së Jugut, pasi ai nuk ishte ende në formë pas dëmtimit të pësuar me skuadrën e tij, Liverpulin në Premier League. Ndërkohë shpresat për rikuperimin e dy futbollistëve të tjerë, Injestës dhe Fabregasit, janë shumë të mëdha, por ende nuk dihet se cila do të jetë data kur trajneri do të mund t’i aktivizojë ata në një ndeshje. Spanja shikohet si një ndër favoritet kryesore për fitimin e Botërorit 2010.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›