Nga Facebook deri te gratë, sa gjëra të ndaluara në grumbullime
Jon-Hun i Koresë së Veriut ka ndaluar praktikisht gjithçka, Kapelo konfirmon famën e tij prej njeriu “të ashpër”, Dunga nuk bën shaka, Del Boske nuk toleron, Maradona imponon stilin e tij gjenial, Lipi zgjedh profilin e ulët: kohë të vështira për lojtarët “botërorë” që po përgatiten të zbresin në fushë mes rregullash dhe diktatesh të imponuara nga trajnerët e tyre. Disiplinë e hekurt për të arritur përqendrimin maksimal, por ka edhe prej atyre që lejojnë ndonjë shkelje. Anglia: ‘s’ka “Facebook”, jemi anglezë’, mund të jetë slogani i Anglisë. Kapelo nuk i lejon celularët, ndalon plotësisht përdorimin e rrjeteve sociale. Por Runi dhe Xherrard bëjnë një vesh të shurdhër dhe vazhdojnë të luajnë në FB. Trajneri ka toleruar te kontaktet me bukuroshet, duke hapur grumbullimin edhe për gratë dhe të dashurat. Trajneri i “Tre Luanëve” në fillim kishte thënë se lojtarët do të mund t’i takonin familjarët vetëm ditën pas ndeshjeve. Por u bind të japë pak më shumë liri. Spanja: edhe Visente del Boske i ka thënë stop djallit joshës të rrjeteve sociale. Ai ka vendosur të blindojë skuadrën nga çdo kontakt me tifozët dhe shtypin. Brazili: kohë të vështira për brazilianët, që mund të navigojnë “online” (Kaka do të tregojë botërorin e tij në “Twitter”), por do të duhet të respektojë parimet strikte të Dungës: darkë në orën 19.00, në shtrat në orën 23.00, s’ka seks dhe asnjë kontakt (ose gati asnjë kontakt) me botën e jashtme. Argjentina: ia kalojnë më mirë argjentinasit e Maradonës, që ndjek stilin e tij revolucionar dhe në “regjimin” e tij në prag të botërorit lejon seksin (me kusht që të mos jetë me partnerë të rastësishëm dhe të mos praktikohet në orët e destinuara për pushimin), mish të pjekur e verë të cilësisë së parë. Nuk është skandal nëse merr në konsideratë kërkesat e Dieguitos: “ish-Pibe de Oro” ka kërkuar në rezidencën e tij në Pretoria një kapak WC-je me ngrohje, një bide elektronike me ujë të rrjedhshëm me tri opsione shpejtësie dhe lavamanë të rinj. Për lojtarët janë të disponueshëm 6 playstation dhe argëtimi i siguruar. Meksika: Meksika është me pak pretendime dhe kënaqet me prezencën e një prifti të besuar. Sllovakët refuzojnë gjërat e tepërta dhe tregohen edhe ata të thjeshtë: do të zbaviten duke luajtur me shigjeta dhe pingpong. Italia: rezidenca e tyre “Leriba Lodge” në Centurion ofron thjeshtësi dhe traditë, pastaj edhe një televizion (për ta është gati një kabllo me fibra optike të shpejtësisë së lartë, ku do të mund të ndiqen kanalet italiane). Koreja e Veriut: më shumë se në grumbullim, futen në izolim. Besnike e famës së vendit të tyre, më i izoluari në botë, Koreja e Veriut ka vendosur të mbyllet në vetvete: nuk lejohen fotot, as intervistat, po ashtu as filmimet. është ngritur një mur i pakalueshëm përreth lojtarëve, të cilët, të shoqëruar nga policia, shkojnë të heshtur në stërvitje, me kokën e ulur dhe shikimin e fiksuar në tokë.
#