Buzhala: Gazetarët nuk duhet të sillen si “lopë të shenjta”

Në seancën e sotshme të Kuvendit, ku Edita Tahiri është e thirrur në interpelancë, Buzhala, i cili deri në nëntor të vitit 2010 ka qenë gazetar, ka thënë se Kuvendi bën gabim trashanik nëse lejon që mediat të vetë-rregullohen dhe të mos përfshihen në Kodin Penal.
“Mirë është bërë që është kthyer Neni 37 dhe 38, por nuk duhet hequr dorë prej një kornizimi moral dhe një kornizimi ligjor të medieve”, ka thënë ai.
Madje Buzhala tha se mediat edhe duhet të paguajnë tatim.
“Ato duhet të paguajnë tatimin, ato duhet me i pagu gazetarët, ato duhet me u thirr konform shoqërisë tonë”.
Ai ka thënë se rregullimi i punës së gazetarëve me Kod Penal rregullohet edhe në vende të BE’së dhe SHBA’së.
“Nuk është e vërtetë se vetëm në Kosovë Kodi penal ta parasheh dënim për shpifjen. Ndërkohë, për kodin penal flasin gjysma e shteteve të BE’së, flasin gjysma e shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje kemi edhe në burg në SHBA gazetar, të cilët kanë vendosur të mos e tregojnë burimin e tyre, siç është rasti i gazetares së Washington Postit, e cila dënohet për mos pranimin për ta treguar burimin”, ka thënë Buzhala.
Ky deputet i PDK’së i ka cilësuar gazetarët se po sillen si “lopë të shenjta” dhe se po frikohen – jo vetëm nga vetëtima – por edhe nga mërmërima.
“Por, edhe gazetarët duhet me sakrifiku pak e jo të sillen sikur lopë të shenjta. Ne kemi hequr dorë prej imunitetit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ne kemi vu vetën para drejtësisë, pse gazetarët kërkojnë të mbrohen jo vetëm prej vetëtimës, por edhe prej murmurimës”.
Buzhala ka pasur vërejtje edhe për komentet që botohen nga portalet e medieve të Kosovës, duke e cilësuar këtë si kanibalizëm medial.
“Madje kanibalizimi tjetër që po ndodh tek është në portale dhe mediat elektronike. A i keni lexuar komentet e lexuesve që ndodhin në portalet e medieve tona. Kush merr përgjegjësi prej atyre medieve për ato komente që shkruhen edhe i pjekin për së gjalli, jo vetëm politikanë, edhe jetën private të secilit. A duhet Gazeta Express, a duhet indeksonline, koha.net, zeri.info, t`i redaktojnë ato shënime të lexuesve, të cilët nuk lënë gjë pa thënë për secilin prej jush këtu dhe secilin prej anëtarëve të familjeve t`juaja”, ka thënë ai.
“Po e marrë rastin e fundit të një fushate te egër ndaj Nënkryetarit të Kuvendit z. Xhavit Haliti. Një i burgosur ordiner qohet në mënyrë ilegale me telefon, thirr mediat dhe mediat pa kurrfarë niveli, pa i respektu dy burimet, pa e respektu edhe çka thotë dikush tjetër, pra pa respektuar të paktën standardin e dy burimeve për çështje të ndjeshme, merret shabllon një i dënuar ordiner dhe thotë se është porositur nga Xhavit Haliti”.