Europa League shkon në Madrid

Atletico Madridi është fitues i Europa League. Skuadra madrilene ia doli ta mposht në finale skuadrën tjetër spanjolle Athletic Bilbao me rezultat bindëse 3:0, në ndeshjen që u zhvillua sonte në Bukuresht të Rumanisë.
Madrilenët fituan me meritë, edhe pse duhet cekur se edhe baskët bënë lojë mjaft të mirë, por që dështuan para golit.
Radamel Falcao ka qenë hero i ‘Los Colchoneros’ duke realizuar dy gola fantastikë. Ai e realizoi golin e parë në minutën e shtatë, pas një goditjeje maestrale me të majtën.
Kurse, golin e dytë e gjeti në minutën e 34-t, me një tjetër kthesë gjithashtu të jashtëzakonshme.
Futbollisti kolumbian e mbylli këtë eveniment me 12 gola, si golashënuesi më i mirë absolut, ndërsa e qëlloi shtyllën, në pjesën e dytë.
Ai shënoi për herë të dytë rresht në finale, pasi edhe vjet me Porton realizonte dhe e fitonte këtë eveniment me kampionin portugez.
Kurse, golin e qetësisë për ekipin e Diego Simeones e shënoi mesfushori brazilian Diego, 5 minuta pa përfunduar takimi.
Klubi bask pati disa raste të mira me Llorente, Ibai (goditi tërthorësen) e Susaeta, por që i mungoi goli, duke dështuar ta fitojë një trofe të rëndësishëm edhe pas 28 vjetësh.
Për madrilenët, kjo ishte hera e dytë në histori që e fitojnë trofeun e Europa League.
Europa League
Finalja
Atletico Madrid – Athletic Bilbao 3:0