E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buzhala preferon gjobë, nuk e deklaron pasurinë

Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala me gjasë do dënohet nga Gjykata. Ai nuk e ka deklaruar pasurinë, të kërkuar nga Agjencia Kundër korrupsion, në këtë organ.

Buzhala ka njoftuar se nuk e ka deklaruar pasurinë edhe ka dhënë disa arsye pse nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Sipas tij, pasurinë tashme e kane deklaruar kriminelet e te gjitha ngjyrave dhe te te gjitha partive.

“Pikë së pari pasuria ime prej vitit të kaluar nuk ka pësuar ndonjë ndryshim. Që të jem edhe më i përpiktë, atëherë po ju rrëfej se pasuria ime nuk është rritur, përkundrazi është tkurrur, që nga viti i kaluar, e po ashtu është tkurrur që prej kohës kur jam futur ne politikë”, ka shkruar Buzhala, në rrjetin social Facebook.

Arsyeja e dytë, Buzhala thotë që nuk e ka deklaruar pasurinë është se një hap i tillë është humbje kohe dhe nuk ka asgjë të përbashkët me luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Ai ka thënë se kjo formë e deklarimit të pasurisë është e kundërta e luftës kundër korrupsionit.

“Pikë së treti, e konsideroj si përpjekje për pastrimin e pasurisë së fituar nga krimi i organizuar, duke e deklaruar atë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se në momentin kur pasuria e tij është bërë publike janë shtuar njerëzit që i kanë kërkuar para hua.

Deputeti i PDK-së ka shtruar pyetjen se pse duhet t’i dinë të gjithë qytetarët e Kosovës për pasurinë e tij, në vend që për këtë të njoftoheshin njësitë e specializuara për luftimin e krimit.

“Duke marrë parasysh këta faktor, atëherë me këtë refuzim të deklarimit synoj te nxis një debat publik se çka në fakt nënkupton deklarimi i pasurisë?”, ka shkruar ai. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›