E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e fundit për Serbinë

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Didier Reynders, ka thënë se pret nga Beogradi dhe Prishtina, që brenda pak kohësh të nënshkruajnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve. Ai ka porositur Beogradin se është koha e fundit dhe më e volitshmja që ta bëjnë një gjë të tillë, në të kundërtën do të vështirësohet procesi dhe do të kthehet prapa.

Shefi i diplomacisë së Mbretërisë së Belgjikës, i bëri këto komente të mërkurën, pas një takimi që kishte me homologun e tij, Enver Hoxhajn.

Reynders është shprehur i lumtur, siç tha ai, me progresin e arritur në Kosovë, sidomos në fushën e sigurisë dhe legjislaturës, duke shprehur bindjen e tij, se Kosova është në rrugë të drejtë të liberalizimit të vizave, raporton KP.

Duke folur për dialogun, Reynders ka deklaruar se Bashkimi Evropian pret që në ditët në vijim të arrihet marrëveshja e shumëpritur, në të kundërtën ka paralajmëruar, situatë të vështirë jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për të gjithë Ballkanin, pa përjashtuar edhe BE-në.

“Në ditët në vijim mund të arrihet një marrëveshje në mes Beogradit dhe Prishtinës. Është me rëndësi që ta shtyjmë dialogun më tutje dhe ndoshta BE duhet të bëjë disa propozime, sepse jemi në fund të procesit. Nëse e humbim këtë rast do të jetë shumë vështirë për të gjetur një moment tjetër të volitshëm, jo vetëm për shkak të situatës në Ballkan, Prishtinë e Beograd, por edhe në BE, sepse kemi probleme të shumta edhe në shtetet tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj, duke komentuar refuzimin e marrëveshjes nga ana e Beogradit ka thënë se e njëjta, nuk ka të bëjë me kërkesën e Serbisë për të drejtat e komunitetit serb në veri të Mitrovicës, por sipas tij, kërkesat e Beogradit zyrtar bazohen në koncepte territoriale.

“Refuzimi i marrëveshjes nuk ka të bëjë me kërkesën e Beogradit sa i takon shkallës së të drejtave që duhet t’i ketë komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës. Në përputhje me pakon e Ahtisaarit ky komunitet gëzon të drejtat të cilat pak komunitete i gëzojnë në Evropë. Kërkesa e tyre bazohet në një koncept territorial. Unë kam qenë shumë i shqetësuar këto ditë se si kryeministri Dacic në një intervistë përsëri përmend opsionet që nuk janë në favor të stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon”, ka thënë ai.

Hoxhaj po ashtu ka thënë se me ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Didier Reynders, kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin bilateral mes Belgjikës dhe Kosovës, ku përveç thellimit të marrëdhënieve diplomatike dhe politike, është diskutuar edhe mundësia e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, si dhe shkëmbime në fusha tjera.

Ai tha se gjatë këtij viti presin që të hapet perspektiva e Kosovës sa i takon negocimit për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

“Biseduam në hollësi për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, për procesin e liberalizimit të vizave dhe kriteret të cilat Kosova i ka përmbush. Unë kërkova nga ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës që ta mbështesë Kosovën në një proces të tillë. Por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm që Kosova duhet të bëjë më shumë drejt plotësimit të kritereve të tilla. Biseduam edhe sa i përket hapjes së negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Dua të ju njoftoi se Kosova i ka përmbushur 4 fusha, apo kritere afatshkurtra të cilat ishin përcaktuar në studimin e fizibilitetit”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Didier Reynders, është pritur edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga i cili është njoftuar në hollësi për dialogun që është duke e zhvilluar me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacicin, dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›