E Diel, 1 Nëntor 2026

Buzhala "denoncon" stupcat e UÇK-së gjatë luftës

(E plotësuar) 14:20 - Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala ka "denoncuar" ish ushtarët e UÇK-së, se në kohën e luftës kanë rrahur në fshatin e tij rreth 30 burra për motive farefisnore, apo qëllime tjera. Ai ka tërhequr një paralele në mes krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës dhe dajakut që ka shpërndarë UÇK-ja gjatë luftës.

Buzhala thotë se, jo Mauricio Salustro, Fatos Lubonja apo Arben Idrizi, por edhe po te ngritët prej varrit vet Giovanni Falcone nuk do te mundet ta binde se ngatërresat ndershqiptare, sipas tij, te bazuara kryekepute ne Kanunin prapanik te Leke Dukagjinit, munden te kategorizohen si krime te luftës.

“Te nderuar deputet dëshiroj t'i ndaj me ju, e edhe me Eulex'in, dy krime qe kane ndodhur gjate luftës dhe ju me tregoni mua se cili prej tyre është krim i luftës: Ne prill te vitit 1998 persona te maskuar, qe flisnin shqip, qe e kishin edhe emblemën e UÇK mbi supe, e ndoshta edhe te komanduar prej ndonjë figure eminente, i kane rrahur pa mëshire - e sidomos pa asnjë motiv lufte - nja 30 a 40 burra te fshatit Çabiq, te cilët edhe ashtu po e jepnin kontributin e tyre ne çlirimin e vendit tone. Me ndiqni me vëmendje ju lutem: Saktësisht një vit me vone, ne prill te vitit 1999, po ne fshatin Çabiq - forcat serbe i vranë pa mëshire, por me motive te forta lufte rreth 20 persona - ne mesin e tyre edhe gjyshin e gjyshen time. Dua te nenvizoj se ne mesin e te vrarëve prej forcave serbe kishte edhe prej atyre qe një vit me herët ishin rrahur pa mëshire prej personave te uniformuar me emblemën e UCK'se”, ka thënë Buzhala, duke shtuar se nuk po dëshiron qe ne asnjë forme t'i rras duart në punët e drejtësisë.

Deputeti i PDK-së, thotë se mungesa e mëshirës ne kryerjen e krimit i perbashkon te dyja krimet. Sipas tij, dy krime dallohen sikur dita me natën tek motivi i kryerjes.

“Ne rastin e rrahjes motivi ka qene hakmarrja primitive farefisnore. Thëne ndryshe, fqinji po e rrahte fqinjin, daja po e rrihte nipin, ose nipi po e rrihte dajën, por jo për shkak te ndonjë qëllimi ose motivi te lidhur me luftën, ose për te arritur qëllime ne lufte. Pra, ky krim ka qene, por jo i luftës. Kurse ne rastin e dyte, atë te vrasjes, vrasësit krimin po e kryenin me një gjakftohtësi tipike. Motivi kryerjes se këtij krimi ishte i qarte: frikësimi i popullatës dhe debimi i tyre prej shtëpive. Pra, ekzistonte komploti dhe konspiracioni”, ka shtuar deputeti i PDK-së, Berat Buzhala.

Ndryshe, me 61 vota për, 3 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën e daljes pas debatit lidhur me mandatin e Eulex-it.
Kjo rezolutë kërkon nga Qeveria që deri më 2 shtator të sjell në Kuvend planin tranzicional drejtë përfundimit të misionit të EULEX-it deri në qershor 2014. Po ashtu kërkon nga Qeveria që të përgatis amandamentet që kanë të bëjnë me kompetencat e EULEX-it.

......................

Kuvendi i Kosovës po debaton lidhur me rolin e EULEX-it në Kosovë me theks të veçantë hetimet dhe gjykimet ndaj luftëtarëve të UÇK-së nën akuzat për krime lufte. Deputetët kritikuan qasjen e EULEX-it ndaj luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe mungesën e hetimeve për krimet makabre që forcat serbe kanë bërë ndaj popullatës civile shqiptare.

Ndonëse pati shumë mospajtime për mënyrën e qasjes së debatit mbi rolin e EULEX-it, deputetët mëgjithatë e filluan debatin për këtë temë vetëm pasi iniciuesi i debatit, Kurtan Kajtazi tërhoqi projekt rezolutën e bashkangjitur dokumentit për debat.

Albin Kurti nga Vetëvendosje tha se “EULEX-i nuk e ka njohur luftën e UÇK-së”, dhe shtoi se në këtë kontekst, nuk ka nevojë të ngrisë aktakuza, transmeton RTK.

Mungesën e deputetëve në sallë, Ardian Gjini nga AAK-ja, e quajti bojkot politik. Ai kritikoi EULEX-in, por edhe Qeverinë e Kosovës për dështime në fushën e sundimit të ligjit.

Ndryshe, zëvendës kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi prezantoi qëndrimin e Qeverisë për misionin dhe mandatin e EULEX-it në Kosovë.

Deputetët kritikuan EULEX-in i cili, sipas tyre, nuk po e lufton korrupsionin në Kosovë, ndërsa as që ka filluar hetime për mijëra raste të vrasjeve dhe masakrimeve të popullatës civile. Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në debat.

Deputetja, Alma Lama, thotë se ka vërejtje themelore në punën e Eulex-it. Megjithëkëtë ajo ka arsyetuar prezencën e tyre në Kosovë. “Kosova nuk është në gjendje të bëjë drejtësi, andaj Eulex është këtu. Ai është këtu me parat e taksapaguesve evropian. Megjithatë unë kam vërejtje themelore për punën e Eulex-it”, tha Lamaj, duke numëruar ,sipas saj, disa dështime të Misionit për sundim të ligjit në Kosovë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›