Jahjaga flet për "mini shengenin" e Balkanit në Bërdo

Në Bërdo të Slovenisë ka filluar konferenca e presidentëve të Balkanit Perëndimor në të cilin do të merr pjesë edhe presidenti francez, Francois Hollande.
Organizatorë të konferencës janë presidentët e Kroacisë dhe Slovenisë, Ivo Josipoviq dhe Borut Pahor.
Në mesin e presidenteve ballkanas pjesëmarrës do jenë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë, Tomislav NIkoliq.
Presidentja kosovare në fjalimin e saj ndër të tjera e ka përmendur idenë e një “mini shengeni” ballkanas si formë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Bashkëpunimi ynë mund të marrë formën e një të ashtuquajturi “mini Shengeni”, si dhe atë të praktikave të mira evropiane nëpërmes të cilave vendet aspiruese mund të zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta bilaterale dhe bashkëpunim regjional, të investojnë në ndërtimin e mekanizmave dhe politikave të cilat do të ushqejnë bashkëpunimin ekonomik, të krijojnë mundësi dhe shtytje për njëri-tjetrin në mënyrë që të stimulojnë zhvillimin ekonomik, të intensifikojnë numrin e projekteve të përbashkëta të investimeve kapitale, duke përthithur fonde të Bashkimit Evropian apo fondeve të ndryshme zhvillimore” ka thënë ndër tjera presidentja e Kosovës, transmeton REL
Konferenca e ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik në mes shteteve, rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, zgjerimi i BE në drejtim të rajonit si dhe çështjet rreth sigurisë së rajonit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.