By-pass-i kushton 52 milionë euro
Shkodër- Në praninë e drejtuesve të pushtetit vendor, prefekturës dhe Këshillit të Qarkut Shkodër, specialistët e studios projektuese kanë paraqitur, projektin përfundimtar për ndërtimin e by pass-it të Shkodrës. Gjatë këtij takimi, ishte i pranishëm edhe zv/ministri i transporteve, Ernes Noka, i cili gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar se ndërtimi i këtij by passi, nuk i shërben vetëm qytetit të Shkodrës, por ka vlerë për të gjithë rajonin, duke shënuar një investim model sa i takon infrastrukturës, e cila i bashkëngjitet asaj ndërkombëtare. Sipas projektuesve, ndërtimi i këtij By Pass-i do të ndikojë jo vetëm për mbrojtjen e qytetit, nga vërshimet e ujërave të liqenit të Shkodrës, por do krijojë dhe një infrastrukturë bashkëkohore, që do krijojë lehtësira për lëvizjen e shpejtë të automjeteve në aksin Shkodër -Hani Hotit, që lidhet dhe me akset Shkodër-Tiranë dhe Shkodër –Velipojë. Kjo vepër është e vetmja e llojit të vet në gjithë vendin dhe kryen disa funksione si rrugë kalimi, si unazë, dhe çfarë është më rëndësishme, si digë mbrojtëse ndaj përmbytjeve. Vlera totale e projektit kap shifrën e 55 milionë eurove. Projekti parashikon ndërtimin e një aksi 4.432 metër të gjatë dhe me gjerësi, që varion nga 11 metër, deri në 54 metër, me tre korsi, ku dy korsi do jenë shpejtësie dhe 1 korsi për autobus dhe taksi. Projekti parashikon dhe ndërtimin e elementeve të duhura hidroteknikë, duke filluar që nga tombinat e deri tek ndërtimi i një stacioni pompash, që do të funksionojë për largimin e ujërave të qytetit të Shkodrës, sa herë që do ketë rritje të nivelit të ujit të liqenit të Shkodrës.