Policia: Kosovari nën akuzë për vrasje me dashje
Tiranë- Biznesmeni kosovar Aziz Kelmendi akuzohet për vrasje me dashje të këngëtares Elsina Hidesha. Edhe pse i arrestuari ka ngulmuar ta prezantojë ngjarjen si aksident, hetimet e policisë dhe prokurorisë kanë treguar se vdekje e këngëtares së njohur si Emmy nuk ishte aksidentale. “Arrestimi i Aziz Kelmendit u krye pasi dy net më parë, rreth orës 02.00, në rrugën “Sadik Petrela”, pranë lokal “Venue”, dyshohet se ka vrarë me dashje, duke e goditur me mjetin e tij, për motive xhelozie, shtetasen Elsina Hidërsha, 21 vjeç, lindur në Skrapar dhe banuese në Sauk të Tiranës” – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Më tej bëhet me dije se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i Aziz Kelmendit, me të cilin është goditur 21-vjeçarja. Ndërkohë, burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se dosja hetimore në ngarkim të biznesmenit kosovar i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët po plotësojnë hetimet për të dërguar në Gjykatë Kelmendin, nuk pranojnë të japin shumë detaje në lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se janë ende në faza hetimi dhe se akuza do të formësohet plotësisht gjatë ditës së nesërme, kur pritet të jetë dhe masa e sigurisë për 47-vjeçarin Aziz Kelmendi.