E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e këngëtares, dëshmitë kundër alibisë së Kelmendit

SHKRUAN: Habjon Hasani 01-03-2011 10:49

Tiranë- Hetimi i vdekjes së këngëtares 21-vjeçare, të njohur si Emmy, është fokusuar te ballafaqimi i versionit të biznesmenit kosovar Aziz Kelmendi me dëshmitë e tjera, që japin një skemë të ndryshme të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Edhe pse biznesmeni kosovar ka ngulmuar fort te një aksident i “paqëllimshëm” pas një grindjeje xhelozie, gjetja e trupit të 21-vjeçares, rreth 60-70 metra larg hyrjes së lokalit të natës ka ngritur dyshimet se këngëtarja ka qenë brenda në makinë, e është hedhur më pas prej saj, për t’u shtypur për vdekje. E ndërsa familjarët e viktimës kanë pohuar për MAPO-n se policia u ka thënë se njoftimin për aksidentimin e ka bërë vetë autori, duket se ka pasur sinjalizime edhe nga dëshmitarë të skenës së ngjarjes. Hetuesit e çështjes kanë marrë informacion se rreth 30 minuta para krimit, “Tuaregu” i Aziz Kelmendit është parë të lëvizë me shpejtësi, disa herë në rrugën para ish-Profarmës, ndërsa më pas, pranë kësaj zone ka ndaluar për njëfarë kohe. Të dhënat paraprake sugjerojnë se policia është informuar se në sediljen ngjitur me shoferin e “Tuaregut” është identifikuar një person i seksit mashkull. Nga dëshmitë e mbledhura në rrugë operative, policia ka mundur të mësojë se dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë parë këngëtaren që është flakur nga dera e pasme e automjetit, shumë pranë vendit ku u gjet e shtrirë. Grupi hetimor e ka konsideruar të rëndësishme edhe dëshminë e shoqes së saj, këngëtares kosovare Valza Bajrami, por kjo e fundit ka qenë në ambientet e lokalit në momentin e krimit. Ekspertiza mjeko-ligjore është një tjetër provë në duart e grupit hetimor, për të përcaktuar me saktësi shkakun e plagës në kokë, që i mori jetën Elsina Hideshës.

Burimet bëjnë me dije se përveç kësaj plage fatale në kokë, Emmy ka patur edhe disa gërvishtje në këmbë. Këto të dhëna operative, të mbledhura nga policia, përforcohen edhe nga fakti se të parët që kanë mbërritur në vendngjarje nuk kanë qenë policët rrugorë, siç ndodh rëndom në raste njoftimesh për aksidente rrugore, por kanë qenë efektivët e sektorit të vrasjeve. Pasi kanë konstatuar këngëtaren e shtrirë përtokë, dhjetëra makina policie janë vënë në ndjekje të “Tuaregut”. Mësohet se ata kanë bllokuar të gjithë zonën që nga rruga e klubit “Venue” dhe deri te tregu që të lidh me QSUT-në, ku mendohet se mori fillimisht drejtimin automjeti. Autori i dyshuar, Aziz Kelmendi, kur është kthyer sërish në rrugën ku u gjet vajza, ka qenë i vetëm në makinë dhe është bllokuar pranë asaj rruge nga një automjet policie, që e kanë ndaluar dhe më pas e kanë arrestuar në flagrancë për vrasje. Ende nuk është bërë i ditur rezultati i ekspertimit të viktimës, i cili do të provojë shkencërisht se në ç’rrethanë është shkaktuar plaga në kokën e këngëtares. Rezultati i këtij ekspertimi është një pikë kyçe në zbardhjen e plotë të ngjarjes, për shkak se do të sqaronte dhe indiciet paraprake të cilat sugjerojnë se plaga në kokë mund të jetë shkaktuar edhe si pasojë shtypjes nga automjeti, në momentin që viktima ka qenë e shtrirë në rrugë. Gjithsesi, këto janë disa nga të dhënat paraprake që kanë mundur të sigurojnë një pjesë e agjentëve që kanë operuar në terren, ndërsa versioni i plotë pritet të ndërtohet nga prokurorja e çështjes, duke u bazuar mbi dëshmitë dhe ekzaminimet që janë kryer te viktima dhe automjeti i autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›