E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Pas gjykatave, fajtore për kombësinë edhe gjendja civile

TIRANË- Falsifikimi i dokumenteve të shumë qytetarëve shqiptarë, të zbuluar së fundi në lidhje me ndryshimin e kombësisë, nuk vijnë vetëm nga vendimet e gjykatave, por edhe nga aktet administrative të lëshuara në zyrat e gjendjes civile. Denoncimi është bërë dje nga vet kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili ka pasqyruar një sërë, faktesh ku për të njëjtin shtetas nga zyrat e gjendjes civile janë lëshuar dy certifikata me kombësi të ndryshme dhe kjo pa një vendim gjykate.

“Nga informacionet që kemi nga gjykatat, shumica e qytetarëve i kanë ndryshuar në rrugë administrative, nëpërmjet zyrave të gjendjes civile, tek të cilat ka parregullsi serioze. Për këtë arsye, ne i jemi drejtuar sot Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për të bërë një verifikim mbarë kombëtar të regjistrave të gjendjes civile, duke marrë sisteme reference për qytetarët, të cilët rezultojnë me kombësi të ndryshme”, është shprehur Spahiu. Ndërkohë, nënkryetari i KLD-së ka vijuar duke pasqyruar një sërë faktesh që vërtetojnë abuzimet e gjendjes civile mbi regjistrimin e popullsisë. “Kemi marrë informacione nga shumë gjykata, për qytetarë të cilët nga e njëjta gjendje civile lëshohen certifikata për të njëjtin qytetar, por diku me kombësi shqiptare dhe nga e njëjta zyrë për të njëjtin person me kombësi greke. Apo për qytetarë, të cilët me mijëra vjet kanë figuruar më kombësi shqiptare dhe kur shkojnë në zyrën e gjendjes civile i thonë ti ke lindur në Gjirokastër dhe ti je greke. Ndërhyrjet në aktet e gjendjes civile bëhen vetëm me vendim gjyqësor, por në qoftë se ato falsifikohen edhe procesit gjyqësor i shkakton një dëm shumë të madh, pasi shpesh herë proceset për ndryshime kombësie bazohen në akte të gjendjes civile:, ka pohuar ai. Sipas Spahiut shtyrja e procesit të regjistrimit të popullsisë për në muajin nëntor nuk përbën zgjidhjen e problemit. “Qëllimi ynë nuk ka qenë të shtymë procesin e regjistrimit të popullsisë. Është e nevojshme që Shqipëria të ketë një regjistrim të popullsisë. Është kompetencë e qeverisë shqiptare të realizojë apo të mos realizojë një regjistrim popullsie. Besoj se shtyrja mund të krijojë oportunitete, së pari për të pritur një vendim të gjykatës kushtetuese në lidhje me efektet e ligjit për gjendjen civile, së dyti mundësinë për të amenduar ligjin për regjistrimin e popullsisë, pasi ligji aktual nuk parashikon që të bëhet mbi baza etnike dhe fetare dhe së treti këto muaj duhen shfrytëzuar për të verifikuar çdo shkelje, manipulim, falsifikim, abuzim që është bërë me aktet e gjendjes civile.’- ka përfunduar Spahiu. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë prej kohësh ka denoncuar fenomenin e ndërrimit të kombësisë kryesisht ne jug të vendit, ndërkohë që ka shprehur rezerva dhe për ligjin e gjendjes civile që sipas tij i ka hapur rrugën ndërrimit të kombësisë nga gjykatat. Aktualisht ligji për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është dërguar për interpretim në gjykatën Kushtetuese nga gjykata e Sarandës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›