E Diel, 1 Nëntor 2026

Një kontrast i thellë me varrezat e anglezëve që janë aty pranë

Prej kohësh është bërë fjalë për një projekt të madh, për Parkun e Madh të Tiranës, që do t’i jepte një pamje të re moderne parkut dhe Liqenit Artificial. Është folur për rikuperimin e hapësirave të vjetruara, për krijimin e sipërfaqeve të reja të gjelbëruara, për krijim këndesh për shplodhje, për shfaqje kulturore dhe terrene për veprimtari sportive.

Na vjen keq të konstatojmë se, ndonëse ka kaluar shumë kohë prej shpalljes publike të këtyre projekteve, gjendja aktuale lë shumë për të dëshiruar. Praktikisht Parku është braktisur. Pritej që të bëhej mbledhje masive pemësh, por kodrat në shumë raste janë zhveshur, pylli po rrallohet. Rrugët janë ato të gjysmë shekulli më parë. Stolat janë shkatërruar ose shkulur. Makinat çajnë shtigjet dhe kalojnë lirisht në Park. Shikohen të kullosin dhen e dhi, lopë e kuaj. Nuk i pengon njeri. Askush nuk ka përgjegjësi.

E them me dëshpërim të thellë se statujat e rilindësve të shquar, vëllezërit Frashëri, Faik Konica janë përdhosur keq: pllaka mermeri të shkulura, emra të fshirë. Një kontrast i thellë me varrezat e anglezëve që janë aty pranë. Liqeni poshtë është ndotur nga ujërat e zeza, niveli i tij ka rënë dhe mund të kthehet në moçalishte.

Me këto që themi nuk paragjykojmë asgjë. Jemi qytetarë të thjeshtë, veteranë, miq të Parkut dhe shprehim një shqetësim. Nuk kemi të bëjmë me instrumentalizim të çështjes për synime politike. Ne nuk mbajmë anë. Ne thjesht u bëjme thirrje autoriteteve kompetente, konkretisht Bashkisë së Tiranës, të ndërmarrin veprime të ngutshme për të ndalur degradimin e Parkut dhe për ta kthyer atë në funksionin e tij normal, si mushkëri e kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›