Byhler: Gjendja në veri të Kosovës, ende shpërthyese

“Gjendja në veri të Kosovës mbetet ende shpërthyese ku potenciali i dhunës mbetet i lartë”. Kështu është shprehur komandanti në largim i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Byhler, i cili ka theksuar gjithashtu se përderisa politika po e humb ndikimin e vet tek popullata, strukturat kriminale po sundojnë atje.
Gjatë një konference që Byhler mbajti në përmbyllje të mandatit të tij, ai ka ftuar të gjithë që të bëjnë një ndarje të qartë ndërmjet popullatës serbe dhe strukturave kriminale, duke thënë se nuk mund të bëhet asnjë krahasim, pasi që atje, sipas tij, strukturat kriminale janë një pakicë, kurse popullata që dëshiron të jetojë në paqe e qetësi, përbën shumicën.
“Kjo popullatë po i nënshtrohet frikësimit dhe kërcënimit pikërisht nga strukturat e krimit të organizuar”, u shpreh ai. Komandanti në largim i KFOR-it e ka përshkruar gjendjen në veri aktualisht si të qetë, por edhe me potencial shpërthyes.
“Potenciali për dhunë mbetet ende i lartë. Kriminelët dhe strukturat radikale vazhdojnë të ndikojnë tek popullata në veri duke kërkuar mbështetje më të fuqishme”, tha Byhler. Ai tha po ashtu, se interesi më i madh i këtij organizimi kriminal është ai financiar, ndonëse parashikoi se në të ardhmen këto mundësi për financat po zvogëlohen.