Byhler: Raporti i Martyt, imazh i keq për Kosovën

Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler ka thënë se raporti i Dik Martyt, i cili akuzon kryeministrin Thaçi për përfshirje në “trafikim me drogë dhe me organet njerëzore”, i ka shkaktuar imazh të keq Kosovës.
“Përderisa nuk ka dëshmi mbi tavolinë, për ne është gjithsecili i pafajshëm. Kështu që në bashkëpunimin tonë nuk ka ndryshuar asgjë. Më vjen keq për dëmet që u janë bërë njerëzve nga ai raport, pasi nga perceptimi që kemi përfituar nga shtypi ndërkombëtar, raporti nuk i kontribuon imazhit të Kosovës”, ka theksuar Byhler.
Byhler, gjatë një vizite në Skënderaj, ka thënë se të dhënat në raportin e Martit janë thashetheme.
“Dua të them një gjë, se ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in, dhe nëse do të kemi dëshmi, ne do t`ua dorëzojmë policisë ato. Mirëpo, derisa nuk ka dëshmi, atëherë vlen pafajshmëria”, theksoi Buhler, duke sqaruar se raporti ose është i vërtetë, ose nuk është, dhe “nëse është i vërtetë, atëherë duhet të ketë dëshmi”.