E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europe rrezikohen Krishtlindjet. Udhetaret makth ne aeroporte

Për miliona udhëtarë të Europës, Krishtlindjet janë në rrezik. Kjo për shkak të borës që vazhdon të mbajë të bllokuara qendrat e Europës. Ngricat dhe akulli kanë shkaktuar kaos në shumë vende evropiane, si në komunikacionin ajror ashtu dhe atë tokësor. Me mijëra pasagjerë kanë kaluar natën në aeroporte.

Pistat në  aeroportin parizian “Orly” janë mbyllur për shkak të rreshjeve të dendura ndërsa në mbarë vendin është ndërprerë  qarkullimi i kamionëve dhe mjeteve të tjera të  rënda.

“Sharl de golle” operon me vetëm 60%  të kapaciteteve të një dite normale ndërsa qëndron e mbyllur kulla Eifel dhe është anulluar dhe koncerti i Lady Gaga.

Situata më kritike mbetet në Britaninë e Madhe ku Heathrow, paralajmëron se situata e pezullimeve të fluturimeve do të vijojë dhe në ditët në vijim. Asnjë avion nuk ka mundur të ulet në pistë aty  ndërsa anullime janë vënë re dhe në Gatwick.
Pritja për t’u nisur e një avioni në pistën e Birmingamit ka zgjatur më tepër se 6 orë e makthit të fluturimeve nuk i ka shpëtuatr as Madona. Thuhet se këngëtarja për t’u përballur me stresin e devijimit të avionit ka kryer joga në korridorin e biznes klas.

Vështirësitë nuk kanë munguar dhe për ata që vendosën të udhëtonin me  tren. 6 trena eurostarë janë anulluar ndërsa  zyrtarët e linjës që përshkon La Manshin bëjnë të ditur se nuk ka më as bileta për udhëtime të tjera.
Në Frankfurt nuk do të realizohen sot 300 nga 1300 fluturimet e parashikuara. Lufthansa po punon me një plan të veçantë fluturimesh. Probleme ka edhe në qarkullimin e trenave dhe në rrugë, ku po shënohen vonesa të mëdha. Në disa pjesë të Gjermanisë është ndaluar qarkullimi i kamionëve.

Vështirësi dhe në Itali, Spanjë, Amsterdam, Monako e Bruksel  ndërsa meteorologët  garantojnë se gjatë këtyre Krishtlindjeve vetëm bora nuk do të mungojë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›