E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylis merr vendin e parë, të mëdhatë e ndjekin nga pranë

SHKRUAN: Jeton Selimi 26-09-2011 13:51

Vllaznia nënshtron Teutën në “Loro Boriçi” duke marrë tre pikë me shumë vlerë nga ekipi i vetëm që kishte arritur dy fitore në dy javët e para të kampionatit. Shkodranët e Mirel Josës kanë bërë një ndeshje të shkëlyqer në 45 minutat e dyta, duke përmbysur avantazhin e Çotës në minutën e 46-të. Durrsakët firmosën avantazhine përkohshëm pas një goli të dyshimtë të sulmuesit Çota, megjithatë Sukaj merr për dore Vllazninë e tij fillimisht duke barazuar në minutën e 59-të pas një krosimi perfekt të Sinanit. Vetëm 120 sekonda më pas është sërish “Xhevahiri” shkodran që mposht Rizvanin pas një goditje të saktë në hyrje të zonës. Për t’i vënë kapak dominimit kuqeblu, ka menduar Markoviç që realizon një autogol “perfekt” duke kaluar me një parabël portierin Rizvani. Flamurtari ka marrë fitoren e dytë në këtë kampionat, duke konfirmuar seriozisht pretendimet e tij për titull. Sidomos në ndeshjen e së dielës, ndaj një tjetër kundërshtari të shumëpërforcuar në merkaton e verës, siç është Kastrioti, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edmond Lutaj kanë bindur plotësisht. Pasi ua ka falur pjesën e mbetur të dënimit të fushës Komisioni i Apelit, futbollistët e Flamurtarit janë rikthyer të luajnë para tifozëve të vet, duke i kënaqur këta të fundit, si me lojë, edhe me rezultat. Plot 3 gola kanë realizuar kuqezinjtë, me anë të malazezit Rajoviç, në minutën e 33-të, me Veliun, në minutën e 42-të dhe me anë të Hysës, në minutën e 74-t, duke e detyruar Kastriotin e Ramadan Ndreut të “dorëzohet pa kushte”. Vetëm një gol i Plakut, realizuar në minutën e dytë shtesë të ndeshjes, ka qenë fare pak për krutanët, që nuk po përmbushin aspak pritshmëritë dhe investimet e presidencës. Tirana nuk fal në shtëpi, teksa mund pastër 3-1 debutuesin në superligë, Pogradecin. Kanë qenë sërish protagonistë shkodranët e 24 herë kampionëve të vendit, Gilman Lika dhe Bekim Bala, ata që i kanë dhënë 3 pikët e radhës Tiranës, në javën e tretë të kampionatit. I pari, Lika, ka kthyer në gol një penallti të fituar nga Erion Dushku, e cila është kontestuar fuqishëm nga pogradecarët. Madje, shefi i klubit liqenor, Kopi Gusho, ka bërë me shenjë nga futbollistët që ta braktisin fushën e lojës në këtë moment, por ndërhyrja e trajnerit Ylli Cekiçi ka qetësuar gjakrat, që penalltia të ekzekutohej dhe loja të vazhdonte më tej. Më pas, ka dyfishuar Bala në të 54-ën, ndërsa Emonhazeri ka rihapur ndeshjen me golin e realizuar në të 65-ën. Sidoqoftë Bekim Bala do të rikthejë sigurinë me rrjetën e tundur në minutën e 78-të. Bylis ka siguruar me mjaft mundime 3 pikët në javën e tretë të superligës. Ballshiotët janë gjendur në disavantazh, pas golit të Ziambos për Kamzën, çka ua ka vështirësuar jashtë mase punët të besuarve të Sensoyt. Megjithatë, një penallti e akorduar për Bylisin, e kthyer në gol nga Uashington, ka rihapur gjithçka. Në pjesën e dytë ka vulosur fitoren sulmuesi Abazaj, që pas një kombinimi me Fjodor Xhafajn, e futur në pjesën e dytë, ka realizuar golin e dytë për të tijtë.

Superliga – Java III

Të shtunën

Apolonia – Laçi 1-1

Skënderbeu – Shkumbini 3-1

Flamurtari – Kastrioti 3-1

Tirana – Pogradeci 3-1

Tomori – Dinamo 2-1

Bylis – Kamza 2-1

Vllaznia – Teuta 3-1

Renditja

Skuadra N F B H Gol P

1) Bylis 3 2 1 0 9-5 7

2) Tirana 3 2 0 1 6-4 6

3) Vllaznia 3 2 0 1 6-3 6

4) Flamurtari 3 2 0 1 5-3 6

5) Teuta 3 2 0 1 3-3 6

6) Skënderbeu 3 1 2 0 3-1 5

7) Apolonia 3 1 1 1 3-3 4

8) Tomori 3 1 1 1 2-2 4

9) Kastrioti 3 1 0 2 7-6 3

10) Kamza 3 1 0 2 3-4 3

11) Shkumbini 3 1 0 2 5-8 3

12) Pogradeci 3 1 0 2 2-7 3

13) Laçi 3 0 2 1 4-6 2

14) Dinamo 3 0 1 2 1-4 1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›