E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo: Skënderbe, mos u ndal më

Presidenti korçar u ka kërkuar lojtarëve që të mos humbasin më pikë të vlefshme

Njëshi i presidencës korçare është i prerë në atë që kërkon, teksa u ka bërë të ditur dhe lojtarëve të ekipit kampion se nuk mund të tolerojë më gabime që i kushtojnë shumë projektit të tij të madh për Skënderbeun. Por pas një fitoreje të dëshiruar dhe për më tepër të bukur me Shkumbinin në shtëpi, si dhe normalizimit të situatës me tifozët, bardhekuqtë kampionë janë më të sigurt në hapat që do të hedhin. Ajo që ju nevojitet tani më shumë se çdo gjë tjetër janë fitoret. Objektivi i tyre i pandryshuar është vetëm ai i mbajtjes së titullit, ndërsa për këtë iu duhet që të arkivojnë sa më tepër fitore, si brenda dhe jashtë shtëpisë. Presidenti Agim Zeqo u ka kërkuar të tijëve të vazhdojnë vetëm me fitore. Ai iu ka dhënë lojtarëve mbështetjen e tij, por nuk ka harruar t’i porosisë të bëjnë kujdes, pasi lufta për titull do të jetë shumë e fortë dhe ekipet pretendente janë të shumta. “Ne na nevojiten vetëm fitore tani e në vazhdim pasi synimi ynë për titullin kërkon vetëm këtë gjë. Uroj që skuadra të mbajë këtë gjendje. Kemi arritur një rezultat të kënaqshëm dhe mjaft të mirë të shtunën në shtëpi, por kjo nuk mjafton për rrugën e gjatë që kemi përpara dhe që duhet të jetë e mbushur vetëm me fitore të tilla. Kjo fitore është e rëndësishme, por duhet të kujtoj se katër pikët që kemi lënë në dy javët e para të këtij sezoni do t’i vuajmë shumë të ggjithë. Këtë gjë e kam bërë të ditur dhe te djemtë e skuadrës. Ne e pamë vitin e kaluar se sa vuanim për një pikë, por të shpresojmë që të gabojnë edhe kundërshtarët e tjerë, që ne ta kapim veten dhe të kryesojmë. Ajo që është e rëndësishme është që ne të vazhdojmë me këtë ritëm. Gabimet nuk duhet të jenë më pjesë e jona, në të kundërt rreziku do të jetë shumë i madh”, ka theksuar për gazetën “Mapo” bosi i korçarëve Agim Zeqo. Presidenti ndihet disi më i qetë, pas alamrit që ishte krijuar tek skuadra për mungesën e golave, por dhe të rezultateve pozitive, kjo dhe pas asaj merkatoje ndër më të mirat dhe më të kushtueshmet në pikëpamjen financiare për presidencën korçare dhe donatorët e mëdhenj të kësaj skuadre. Fitorja e parë ka ndodhur dhe kjo është ajo që ka vlerë më shumë për të gjithë, ndërsa transferta e Laçit është që janë duke menduar të gjithë në kampion e ekipit juglindor. Kthesa ka ndodhur dhe pritshmëritë për kampionët pas kësaj janë shumë të mëdha.

Irena Vreto

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›