E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylykbashi-Curri shënojnë, Vorskla fiton

Ishte me të gjithë kuptimin e fjalës një "derbi shqiptar", i luajtur mijëra kilometra larg vendit tonë. Në ndeshjen Vorskla Poltava-Krivbas Krivji Rig, të vlefshme për javën e 26-të të kampionatit ukrainas, futbollistët shqiptarë që luajnë në këto dy skuadra (plot tetë) kanë ditur të lënë shenjë. Dhe këtë e kanë bërë nën sytë e trajnerit të Kombëtares, Ari Han, dhe ndihmësit të tij, Teo de Jong, që kishin udhëtuar për t‘i ndjekur në aksion. Në fushë kanë luajtur vetëm pesë prej shqiptarëve (Curri, Dallku, Bylykbashi, Hidi e Bulku), të cilët kanë qenë protagonistë të padiskutueshëm të ndeshjes. Vorskla ka kaluar e para në avantazh vetëm pas 11 minutave lojë, me Markoskin, që devijon në rrjetë një kros perfekt të Dallkut. Krivbas reagon në të 63-ën dhe mendon Dorian Bylykbashi për të risjellë baraspeshën: fantazisti elbasanas ka shndërruar në gol një 11-metërsh të fituar nga skuadra e tij. Rrjetë që në të ardhmen mund t‘i shërbejë si "biletë" për përfshirjen e vazhdueshme në përfaqësuesen kuqezi. Takimi ka qenë emocionues deri në sekondat e fundit, moment kur Debatik Curri është bërë heroi i Vorsklas, duke realizuar me gjakftohtësi një 11-metërsh të akorduar nga gjyqtari i sfidës. Në fund, Dallku dhe Curri fitojnë 3 pikë shumë të vlefshme dhe Vorskla ngjitet në vendin e dhjetë me 29 pikë. Po kaq pikë ka edhe Krivbasi, por skuadra ku militojnë Bylykbashi, Hidi, Bulku e Ndreka ka golavarazh më të dobët. Në mbrëmje të gjithë futbollistët shqiptarë kanë darkuar me trajnerin Han dhe ndihmësin e tij, e në mënyrë të paevitueshme kanë folur edhe për planet që holandezi ka për Kombëtaren shqiptare.

Loja e futbollistëve shqiptarë është vlerësuar me nota maksimale edhe nga tekniku i Krivbasit, Oleg Taran, i cili nuk i ka kursyer elozhet për kuqezinjtë. Pyetjes se çfarë mendonte për këtë ndeshje që është dominuar nga shqiptarët, ai i është përgjigjur: "Mendoj se Armend Dallku dhe Debatik Curri janë dy futbollistë shumë të mirë. Kam shumë respekt për ta dhe për lojën e tyre. Për këtë arsye mendoj se ata janë lojtarë kyç për Vorsklan". Në konferencën për shtyp, Taran foli edhe për shqiptarët që ka në skuadrën e tij: "Për sa u përket shqiptarëve që drejtoj unë e që mbrojnë ngjyrat e Krivbasit, mund të them se Bylykbashi është mes pesë futbollistëve më të mirë që luajnë në Ukrainë në rolin e fantazistit. Gjithashtu mendoj se edhe Hidi e Bulku janë dy futbollistë me shumë vlera. Ata janë të gjithë lojtarë cilësorë, të cilët do t‘i bënin punë çdo skuadre".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›