E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ola dhe Ilda pajtohen, u kërkojnë falje banorëve

Orët e spektaklit të mbrëmshëm të "Big Brother" kanë qenë të mbushura me shumë surpriza. Në studio, dy vajzat që lanë në gjysmë aventurën brenda shtëpisë, duke humbur shansin për të fituar 50 mijë euro, kanë treguar përballë Albanës gjithçka rreth zënkës që i çoi jashtë shtëpisë. Duke i kërkuar falje shikuesve, ato kanë treguar se do të kishin dashur që gjërat të kishin shkuar ndryshe. Të pranishëm në studio, si çdo javë, kanë qenë opinionistët, si dhe psikologja Fatjona Hysi, që ka shpjeguar arsyet që i çuan Mardiolën dhe Ildën drejt një situate jo të këndshme. Albana ka thënë se lekët e mbledhura nga votimi do të shkojnë për bamirësi.

Si në shtëpinë e "Big Brother", ku banorët prisnin në çdo çast lidhjen me shtëpinë, ashtu dhe në studio spektakli i djeshëm ka qenë me shumë emocione dhe të papritura, si për shikuesit, ashtu edhe për vetë banorët.

Rrëfimi i Mardiolës

Me një paraqitje të kuruar mirë, Mardiola tregoi dje në studion e "Big Brother" se 20 ditët e saj brenda shtëpisë më të madhe në Shqipëri kishin qenë një përvojë e mrekullueshme. "Ishte një përvojë e mrekullueshme, pak lodhëse, por dhe qetësuese", u shpreh ajo. Pasi ndoqi një klip me sekuenca të zgjedhura nga ditët brenda "Big Brother", Mardiola ka vijuar rrëfimin për aventurën, në të cilën hyri me mendimin për të ndryshuar diçka nga rutina e zakonshme, edhe pse jo për të fituar. "Ishte një eksperiencë pozitive, pasi nxora realitetin tim", tha ajo. E pyetur në se kishte ndonjë banor që do t‘i mungonte, ajo u shpreh se "ata janë Arbri dhe Romina". Për Arbrin, ajo shprehu një simpati të veçantë, duke thënë se i ngjasonte disi me tipin e vëllait. I njëjti karakter dhe e njëjta mënyrë konceptimi për jetën dhe uronte që Arbri të ishte fituesi i këtij edicioni. Një përvojë interesante, dhe pse jo impulsive për situatën që krijoi brenda shtëpisë, i ka quajtur javët e Mardiolës brenda shtëpisë dhe regjisori Mevlan Shanaj. Për të, edhe konflikti që Mardiola pati me banorët, i ka dhënë shumë audiencës. Më pas Mardiola është njohur me ato çfarë mendonin banorët e tjerë të shtëpisë për të. Edhe pse mendimet nuk ishin shumë pozitive, Mardiola është shprehur se i priste këto reagime, pasi e ndjente veten një konkurrente të fortë brenda shtëpisë. Por edhe pse aventura e saj brenda shtëpisë zgjati vetëm 20 ditë, Mardiola do t‘i kujtonte si ditë vërtet të bukura, pavarësisht çasteve jo të mira.

Rrëfimi i Ildës

Një përvojë vërtet e bukur, i quajti Ilda ditët e saj brenda shtëpisë së "Big Brother". Edhe pse shumë gjëra brenda shtëpisë nuk ishin ashtu siç ajo i kishte menduar, sërish ndan kujtimet më të mira për kohët në të. "Nuk do të kthehesha mbrapsht që të ndryshoja asgjë", u shpreh ajo. Dy nga banorët që do t‘i mungojnë më shumë janë Poli dhe Çimi. Por a kishte vërtet një pëlqim mes Ildës dhe Polit? Ilda ka treguar se kishte një pëlqim, por jo ashtu siç është interpretuar jashtë. Lidhur me fjalët e thëna nga Ina se Ilda hyri brenda shtëpisë për të ndarë grupin Poli, Ina Visi, ajo u shpreh se nuk e dinte se brenda ekzistonin grupe, dhe se ishte shoqëruar me ta, pasi me ta u ndje më afër.

box

Ola dhe Ilda i japin dorën njëra-tjetrës

Mardiola dhe Ilda, dje, i kanë dhënë dorën njëra-tjetrës, duke treguar se ajo zënkë çfarë ato të dyja jetuan brenda shtëpisë së "Big Brother" ishte diçka që do të kishin dashur ta shmangnin. Ato kanë pranuar se ishin në një farë mënyre fajtore, por tashmë që e shohin më me ftohtësi ngjarjen, do të donin që ajo të mos kishte ndodhur. Sipas Ildës, zënka ka filluar kohë më përpara se ajo drekë. Ndoshta që në çastin kur Mardiola nxori thashethemin për të. Ajo ka treguar se pas këtij thashethemi nuk ndihesh mirë, dhe filloi të mos e pëlqente Mardiolën. Por ajo nuk e mendonte se Ola do të reagonte në atë mënyrë gjatë drekës. Ndoshta për faktin se ajo ishte falur njëherë për zënkën me Julindën. "Kur je e nervozuar, thua gjëra që nuk do të doje t‘i thoshe", tha Ilda.

Mardiola tregoi se e kishte pritur një reagim të tillë të Ildës, për faktin e thashethemit. "Unë e prisja reagimin e Ildës, por jo në atë çast, jo në atë mënyrë. Ne po drekonim dhe unë po mendoja se Ilda mund të ishte ndikuar nga Julinda. Ndërsa Shkëlqimi po rrëmonte në ato çfarë ne po diskutonim", tha Mardiola, duke thënë se Çimi e kishte shtyrë më shumë atë zënkë. Por për Olën, familja është diçka tepër e shtrenjtë dhe ajo është shumë e ndjeshme sa herë i cenohet ajo.

Por pavarësisht arsyeve që i çuan vajzat drejt një situate jo të këndshme, duke i bërë që ta linin në gjysmë ëndrrën e "Big Brother", ato pranuan publikisht që kishin gabuar dhe u kërkuan falje shikuesve, si dhe banorëve brenda shtëpisë dhe njëra-tjetrës. "Dua t‘ju kërkoj falje për skenën që ndodhi të martën. Nuk ishte aspak e bukur. Titit veçanërisht desha t‘i kërkoja falje, pasi nga nervat që kisha, shkova dhe i bërtita më pas", u tha Ilda banorëve.

"Shpresoj që t‘ia kaloni mirë. Do të doja të ishit të qetë, të mos merrni asgjë me impulsivitet, siç mora unë. U kërkoj ndjesë, edhe pse situatat ndonjëherë ishin të pakëndshme. Ne nuk do të urrejmë as lojtarin, as lojën. Thjesht çmimin. Pasi ai nxori edhe anët tona negative", tha Mardiola.

Përtej asaj dreke që i dha fund ditëve në shtëpi, dy vajzat do ta kujtojnë shtëpinë e "Big Brother" edhe për momentet vërtet të bukura.

Në shtëpinë e Najadës

Gazetari Eno Popi, këtë javë, kishte udhëtuar drejt Fierit, për t‘u treguar shikuesve më shumë për jetën e Najadës. Në shtëpinë që ngjasonte si një galeri arti nga pikturat e pafundme, ai tregoi diçka më tepër për jetën e Nadës, dy motrat, mamanë dhe dhomën e saj. Vera, mamaja e Najadës, e cila gjithashtu pikturonte, pasion të cilin e ka trashëguar dhe vajza, tregoi se fillimisht ajo dhe Najada ishin paragjykuar nga njerëzit, ndërsa më pas ata kishin kuptuar sinqeritetin dhe ndjeshmërinë e vajzës së saj dhe e kishin mbështetur. Dy motrat, Eri dhe Xhina, treguan se e ndiqnin motrën nga ekrani dhe se u mungonte shumë. Lidhur me raportin intim që Nada ka krijuar me Olsin brenda shtëpisë, e ëma e Najadës u shpreh se besonte se ai do të mbetet një raport vetëm brenda shtëpisë. "Najada, lidhjet e fuqishme i ka strikte" u shpreh ajo.

Ndërsa më vonë, në një lidhje që Albana pati me Nadën në dhomën e sekreteve, për herë të parë Najada tregoi publikisht rreth lidhjes së saj me Olsin. "Në radhë të parë, ne jemi shok shumë të mirë. Nuk flasim me dorashka. Përveç kësaj, është edhe një pëlqim mes dy palëve. Por unë, nëpërmjet gjesteve, mundohem të kuptoj se çfarë ka mes meje dhe atij". Ajo la të kuptonte se Olsi e pëlqente vërtet. Nada tregoi se e kishte puthur Olsin pasi e kishte dashur një gjë të tillë. Sa i përket momenteve kur i ka thënë se "nuk e pëlqen më", ajo tha se ishin thjesht ngacmime për të parë faktin se si do të reagonte ai.

Pyetjes së Albanës nëse Olsi e pëlqen Junën, ajo iu përgjigj jo. Ndërsa pyetjes nëse Olsi e do ende të dashurën që ka lënë jashtë, Nada u përgjigj se "e sheh Olsin ende në qiell, dhe ai ende nuk e di se çfarë do". Najada pranoi se do t‘i pëlqente që marrëdhënia e saj me të të vazhdonte edhe jashtë, pasi ai i pëlqente vërtet.

Box

Juna në shtëpinë e "Big Brother"

Ka qenë vërtet surprizë hyrja e Junës për 15 minuta në shtëpinë e "Big Brother". Sidomos për Olsin që i doli edhe ëndrra që kishte parë kohë më parë. Juna është përqafuar me banorët, që të gjithëve u kishte munguar nga pak. Najada u shpreh se ishte një surprizë e bukur hyrja e Junës brenda shtëpisë, dhe se do të donte që ajo të rrinte aty më shumë. Juna doli nga shtëpia e "Big Brother" e shoqëruar nga tingujt e këngës "Larg ditët pa ty kanë mall" e shoqëruar nga Titi.

Prova

Edhe këtë javë, banorët do ta kenë të plotë buxhetin, pasi ashtu siç treguan pasion për të zgjedhur fjalëkryqet gjatë javës, të njëjtin përkushtim treguan edhe me provën e dhënë dje nga "Big Brother", të cilën e kaluan me sukses.

Prova e mbrëmjes së djeshme ishte ndërtimi i një piramide. Fillimisht Albana thirri në dhomën e sekreteve Rominën dhe Arbrin, të cilët do t‘u përgjigjeshin dy pyetjeve. Nëse përgjigjet do të ishin të sakta, banorët do të merrnin majën e piramidës dhe do ta ndërtonin atë brenda 90 sekondave. Dhe pyetjeve se cila është piramida më e rëndësishme e Egjiptit, dhe sa vjet është dashur për të ndërtuar atë, Romi dhe Arbri iu përgjigjën saktë, duke thënë se ajo është Keopsi dhe për ndërtimin e saj është dashur më shumë se 20 vjet. Banorët e kanë ndërtuar piramidën një sekondë para rënies së gongut.

Surprizat

Spektaklit të mbrëmshëm të "Big Brother" nuk i kanë munguar surprizat. Me çelësin që Julinda gjeti në vazon e mbushur me krimba e dhe, Olsi me sy të lidhur hap kasafortën në kopsht dhe gjen aty dy filma shqiptarë. "Prefekti" dhe "Shi në plazh" ishin dy dhuratat që "Vëllai i Madh" kishte vendosur që t‘u bënte banorëve. Një surprizë "Vëllai i Madh" kishte rezervuar dje dhe për Julindën, ku i tregoi videomesazhin e parë nga shoqet dhe pastaj të dytin nga prindërit. Pas shakasë së hidhur që "Big Brother" bëri javën e kaluar me Çimin, këtë herë ai kishte rezervuar një surprizë për të. Teksa Albana i thotë Çimit që të shkojë në oborr ai gjen aty kubistët dhe baristin akrobat. Më pas, të gjithë banorët marrin pjesë në festën tekno.

Të nominuarit e kësaj jave janë:

Besarta

Julinda

Olsi

Romina


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›