E Shtunë, 31 Tetor 2026

Byzhyti: Lushnja, vetëm ngritje tani e tutje

Nga Julian Kasapi

Futbollisti lushnjar, Alban Byzhyti, kërkon më shumë tifozë në stadiumin Roza Haxhiu, pasi ata i japin më shumë besim skuadrës

Skuadra lushnjare ka ndërruar kurs të shtunën që shkoi, kur mundi pastër Elbasanin rival dhe tashmë të gjithë besojnë se, me në krye trajnerin Saimir Malko, myzeqarët do të vazhdojnë në këtë linjë, duke qenë gjithmonë në kuotat e një pretendenti për në superligë.

Në fakt, ky besim ishte i madh edhe para nisjes së kampionatit, sidomos dhe pas goleadës së javës së parë me Mamurrasin, por më pas Lushnja, e drejtuar në atë kohë nga trajneri Ramadan Baballëku, u përfshi në një situatë konfuze dhe humbi shumë pikë, duke humbur në transfertë dhe duke barazuar në stadiumin Roza Haxhiu, madje dy herë.

Me ndryshimet në stafin teknik duket se kjo skuadër ka rigjetur veten dhe, duke gjykuar nga kontigjenti i lojtarëve që ka, nuk ka si të mos jetë ndër kandidaturat kryesore për në elitë. Kthesa u bë me Elbasanin dhe tani e gjithë vëmendja në kampin lushnjar është te ruajtja e ritmit.

Byzhyti Alban Byzhyti, i cili është një nga titullarët më të rëndësishëm të Lushnjës, mendon se skuadra e tij tani e tutje do të njohë vetëm ngritje, pasi i ka të gjitha kapacitetet. Ai luajti në qendër të mbrojtjes në ndeshjen me Elbasanin, pozicion ky i kushtëzuar nga mungesat në këtë repart. Për hir të skuadrës mund të luaj në çdo rol. Mjafton që Lushnja të fitojë, sepse pak rëndësi ka se në cilin pozicion aktivizohesh nga stafi teknik. Këto lloj sakrificash duhet ti bëjmë të gjithë për të mirën e skuadrës, thotë futbollisti lushnjar.

Butrinti Për ndeshjen e radhës, që verdhejeshilët e kanë përsëri në Roza Haxhiu, Byzhyti thekson: Ne kemi hyrë tashmë në një fazë të re dhe pa dyshim që duhet të vazhdojmë me ritmin e fitoreve, që të paktën në fushën tonë nuk duhet ti diskutojmë.

Lushnja ka për detyrë të vijojë me paraqitjen e bërë në ndeshjen e fundit me Elbasanin. Këtë fundjavë presim Butrintin, një kundërshtar më i lehtë në letër, por që i duhet bërë hyzmeti, për të mos përsëritur gafat që kemi bërë javët e para, kur kemi humbur 4 pikë në fushën tonë.

Tifozët Futbollisti lushnjar ka edhe një apel për tifozët, që, sipas tij, duhet të jenë më të shumtë në ndeshjet që vijnë. Skuadra ka gjithmonë për tifozët, të cilët dihet shumë mirë që kanë rolin e tyre në çdo sukses. Do të dëshiroja që tifozët lushnjarë të jenë sa më të shumtë në stadiumin Roza Haxhiu, sepse na japin më shumë kurajë. Lushnja ka ndryshuar dhe ata duhet të vijnë dhe të shijojnë lojën dhe fitoret e saj, ka përfunduar Alban Byzhyti.

 

3 fanella

Ka veshur në karrierën e tij futbollisti lushnjar. Byzhyti ka luajtur me Lushnjën dhe Shkumbinin në superligë, sidhe Tomorin në kategorinë e parë gjysmën e sezonit të kaluar. Ai është një nga 3 të rikthyerit më të rëndësishëm te verdhejeshilët për këtë sezon, bashkë me portierin Bejte dhe sulmuesin Sefa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›