E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bella: Elbasani nuk gabon dy herë radhazi

Nga Elton Karaj

Mbrojtësi verdheblu, Aldo Bella, pasi vlerëson Kukësin, pohon se fitorja do të arrihet me çdo kusht në stadiumin Ruzhdi Bizhuta

Elbasani e ka rregulluar disi gjendjen psikologjike pas humbjes së thellë në Lushnjë, pasi ka fituar 2-1 në kupë me Dinamon. Të mërkurën trajneri File ka lënë pushim disa nga titullarët, të cilët i ka ruajtur për ndeshjen e së shtunës me Kukësin, mjaft e rëndësishme në këtë moment delikat.

Në kupë stafi teknik verdheblu ka preferuar të aktivizojë disa lojtarë të rinj, duke u dhënë atyre një mundësi për të treguar vlerat dhe ata ia kanë shpërblyer besimin, duke zhvilluar një lojë të bukur dhe rezultative.

Një nga më të mirët në fushë për Elbasanin ishte Aldo Bella, i cili luajti në qendër të mbrojtjes, në vend të të dëmtuarit Sekseni. Bella është mjaft i kënaqur për lojën e Elbasanit dhe sidomos të të rinjve. Sipas tij, këta të fundit treguan një shpirt të lartë gare dhe vërtetuan se janë lojtarë me të ardhme.

“Fitorja me Dinamon ishte e merituar dhe shumë e rëndësishme për ne. Kishim shumë mungesa titullarësh, por djemtë e rinj treguan se janë të denjë për fanellë verdheblu. Ata zhvilluan një ndeshje vërtet të mirë, duke luajtur me shpirt luftarak. Mund të themi pa frikë se këta të rinj janë e ardhmja e Elbasanit, u shpreh Bella.

Kukësi Duke u fokusuar te ndeshja e kampionatit, mbrojtësi elbasanas tha se gjithçka është e qartë: për Elbasanin nuk mund të pranohet asnjë gabim në shtëpi. E kemi të qartë të gjithë se me Kukësin duhet të luajmë fort dhe me shumë kujdes, sepse do të ishte fatal një hap fals, pas humbjes në Lushnjë.

Mendoj se ekipi do të reagojë si duhet, ndërkohë që Kukësin e kemi vlerësuar maksimalisht. Na pret një ndeshje e vështirë, që duhet fituar patjetër dhe për këtë jemi mjaft të motivuar. Elbasani nuk është nga ato ekipe që gabojnë dy herë radhazi. Unë jam i mendimit se fitorja do të jetë jona, – ka përfunduar mbrojtësi Aldo Bella, i cili këtë sezon është një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekipin verdheblu.

Ekipi i qëndron pranë zv/trajnerit Dosti

Ka qenë një ditë shumë e vështirë e enjtja për ndihmëstrajnerin e Elbasanit, Muharrem Dostin, pasi babai i tij ka ndërruar jetë. Në këto momente të vështira, i gjithë ekipi verdheblu, pjesëtarët e stafit teknik dhe presidenca, i kanë qëndruar pranë Dostit, duke e ngushëlluar për humbjen e njeriut të dashur të familjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›