E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimaj: Është sezoni i Luftëtarit, nuk ka diskutim

Nga  SOKRAT  PAPADHOPULLI

Portieri shkodran, Erind Selimaj, gjykon se ekipi i tij do ta vazhdojë marshimin drejt superligës, duke mundur çdo rival

Luftëtari është i pamposhtur në stadiumin e tij, ku deri tani ka marrë 9 pikë në 3 ndeshjet e deritanishme, ndërsa nesër pret Burrelin, që në transfertë ka 1 barazim dhe 2 humbje. Ekipet e mësipërme kanë përkatësisht golaverazhet 4-1 dhe 1-6, shifra që e nxjerrin Luftëtarin më të fortë.

Gjirokastritët ishin të vetmit që fituan në transfertë javën e fundit, kur mundën Butrintin 2-1 në Sarandë, ndërkohë që në mesjavë, për ndeshjen e dytë të kupës, u aktivizuan kryesisht lojtarë të stolit dhe i dënuari Stoja, më tepër për formën e tij sportive sesa për të mundur Besën.

Gjithë kujdesi i gjirokastritëve është përqendruar te ndeshja me Burrelin, që renditet i 11-ti, por kjo nuk do të thotë se do të vijë me flamur të bardhë. Përkundrazi, matjanët do të përpiqen të rezistojnë dhe të marrin pikë. Pra, do të jetë një ndeshje me dramacitet, edhe pse peshorja anon nga Luftëtari, si për faktin që luan në fushën e tij, por edhe sepse ka disa futbollistë më cilësorë se të Burrelit.

Portieri Selimaj Një nga pikat më të forta të Luftëtarit është portieri shkodran Erind Seliamj, që deri tani ka pësuar 3 gola, 1 nga të cilët në Gjirokastër. Ai thotë se ekipi i tij do ta vazhdojë marshimin që ka nisur, duke mundur çdo kundërshtar në stadiumin Gjirokastra, por edhe jashtë tij: Luftëtari është paraqitur në lartësinë e duhur dhe marshimi i tij drejt superligës me siguri që do të vazhdojë.

Them se është sezoni i tij, pasi ka shumë vite në kategorinë inferiore dhe nuk i ka lezet të qëndrojë më gjatë, duke marrë parasysh të kaluarën e tij. Ndeshja me Burrelin kërkon përqendrim e kujdes në mbrojtje dhe pa dyshim agresivitet dhe fantazi në sulm, që në fund të korrim fitoren. Përballja do të jetë me koeficient mjaft të lartë vështirësie, por, ashtu si në javët e mëparshme, veçanërisht në Gjirokastër, Luftëtari do ta arrijë fitoren në sajë të kualiteteve, që formojnë një grup ndër më solidët e kategorisë së parë. Jam i bindur se nuk ka mundësi të ndodhë ndryshe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›