CEFTA, sfidë për Kosovën

Sfidat e mëdha të Kosovës në fushën e tregtisë si dhe paqartësitë në marrëveshjen e CEFTA-s, ishin shkak që Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile - KCSF, të organizojnë të premten një punëtori njëditore.
Drejtoresha e KCSF-së, Venera Hajrullahu, ka thënë se mos zbatimi i marrëveshjes së CEFTA-s ka dëmtuar në masë të madhe bizneset kosovare. Sipas saj, institucionet e vendit nuk kanë ndërmarrë hapa për të zhbllokuar situatën e krijuar pas bllokimit të mallrave të Kosovës nga Serbia e Bosnja.
“Ndërmarrja e masave të reciprocitetit ndaj vendeve janë pengesa deri në vazhdimin e status-quos. Derisa për secilin opsion u prezantuan argumente pro dhe kundër status-quos, si opsion e përjashtonte vetveten, sepse vetëm sa ngrinte një pozicion ku Kosova ishte e humbur dhe nuk shihej asnjë solucion, dhe është mu ky opsion, i cili në mungesë të ndonjë veprimi konkret mbisundoi, nuk u kërkua apo nuk u gjet zgjidhja përmes mekanizmave të CEFTA-s”, ka thënë Hajrullahu, transmeton KosovaPress.
Luan Shllaku nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, ka vlerësuar se marrëveshja e CEFTA-s i hap rrugën Kosovës drejt integrimeve rajonale dhe më gjerë.
“CEFTA është një sfidë e madhe, sfidë e madhe për Kosovën, një sfidë e cila është sfidë politike në rend të parë dhe definitivisht është një mundësi e shkëlqyeshme për t’u hapë dyert Kosovës ndaj integrimeve rajonale në rend të parë e pse jo më tutje, integrimeve evropiane. Pra, është një ndër mundësitë shumë të pakta, të cilat Kosova i ka që e dini rrafsh rajonal të bashkëpunojë dhe të veprojë”, ka thënë ai.
Ushtruesi i detyrës së Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Khadun Sino ka thënë se opinioni duhet të informohet më shumë lidhur me rëndësinë e mekanizmit të CEFTA-s.
“Mendoj se kjo ngjarje është në kohë të duhur dhe e domosdoshme, në kohën e duhur, sepse i dini bisedimet që po zhvillohen në CEFTA që janë duke u bërë dhe i domosdoshëm, sepse nëse shikoni në media dhe si është reflektuar çështja e CEFTA-s mendoj se është nevoja për të informuar më shumë publikun lidhur me çfarë është CEFTA, si punon, cilat janë mundësitë dhe mekanizmat”, ka thënë Sino.